Lutje mbi Ungjillin e dieles se 6-te gjate vitit kishtar 'A'
Çdo lojë ka rregullat e veta,
po për të fituar lojën, rregullat nuk mjaftojnë.
Duhet një shkëndijë
që ndizet në zemër,
që shkrep në fantazi,
e të shtyn të bësh mrekulli.
E jeta tjetër s’është, veç lojë,
por, po u ndale para ligjit,
mbetet veç vija e bardhë
ku duhet të niste gara!
Duhet shkëndija e dashurisë,
e utopisë,
për ta bërë të mundur, të pamundurën.
Për të ndjerë si të rriten flatrat
për fluturime,
në vend që të zvarritesh në baltë.
Fjala jote, o Zot,
është porsi maj i rëndë:
i shkapërthen shkëmbinjtë
e rregullat që na mbyllin
ndër shpella tona
ku ndjehemi rehat!
I rrënon muret farizeike,
për të hapur lulishten
ku vezullon vëllazërimi,
e lule çel dashuria.
Ti, o Zot im, nuk i do,
ata që luajnë me drejtësinë.
S’i do aspak njerëzit
që duken, po nuk janë!
Ti do që ndeshmërisht të luajmë
në fushë të hapur!
Të luajmë sinqerisht,
pa e matur hapin me metër,
pa e peshuar në kandar.
Ti do që ne ta luajmë
lojën e jetës,
me dashurinë e pafund
që gjithçka fal,
gjithçka duron,
gjithçka e rrok e e pushton,
prandaj fiton!
“Ndihmona, o Zot,
të shkojmë përtej hijes sonë,
në lojën e madhe të jetës!”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |