2017-02-12 09:00:00

Kardinali shqiptar Ernest Simoni hyri zyrtarisht në kishën e Shën Marisë së Shkallës


Dje, në orën 18.00, kardinali shqiptar Ernest Simoni-Troshani hyri zyrtarisht në kishën e tij titullare të Shën Marisë së Shkallës në lagjen Trastevere të Romës. Siç ju kemi njoftuar në emisionet e mëparshme, kardinali Ernest Simoni-Troshani mori pjesë të premten, në Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, kremtuar nga Papa Françesku. Më pas, erdhi për një vizitë në Radio Vatikan, ku na dha një intervistë e bekoi gjithë shqiptarët nga mikrofoni ynë. Në mbrëmjen e së premtes, në orën 21.00, dha një dëshmi prekëse në Kishën e shën Jozefit në Aurelia, po në Romë. E dje, 11 shkurt 2017, hyrja zyrtare në Kishën e tij titullare në Romë.

 Kujtojmë se kjo Kishë u ndërtua me dëshirën e Papës Klementi VIII dhe iu besua karmelitanëve të zbathur me bulën “Sacrarum Religionum”, më 20 mars 1597. Ajo u ngrit mbi një kamare të Zojës në këmbët e një shkalle, prandaj mori emrin e Shën Marisë së Shkallës. Zoja me Krishtin në krah njihej si Zoja e Mrekullive. Mbahet mend se në dhjetor të vitit 1592, një mami, që quhej Kornelia, u lut para fugures së Zojës me një vajzë të vogël memece, së cilës iu zgjidh gjuha, duke u shëruar plotësisht. Mrekullia e dytë flet për një lypsar të paralizuar, që para kësaj fuguruje u ngrit në këmbë dhe eci normalisht. Kisha u ndërtua pikërisht për të nderuar Zojën e Mrekullive, e cila vijoi të bënte mirë edhe më vonë. Fugurja u vendos në elter. Ndërsa sot ndodhet në kapelën majtas elterit.

Në këtë kishë gjejmë edhe reliken e këmbës së djathtë të pakorruptuar të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, reformuese e Urdhërit të karmelitanëve të zbathur. Ashtu si ajo vetë, edhe dëshmia e kardinalit shqiptar flet për një Kishë të vuajtur, të martirizuar, por gjithnjë pranë grigjës, që i ka besuar Zoti. Të dëgjojmë edhe një herë kardinalin Ernest Simoni-Troshani, në mikrofonin e Radio Vatikanit….








All the contents on this site are copyrighted ©.