2017-02-11 15:48:00

Biseda e Papës me eprorët e urdhërave rregulltare


Me rastin e daljes së numrit 4000, revista e jezuitëve “Civiltà Cattolica” botoi fragmente të gjata nga bisedimi i Papës me eprorët e urdhërave rregulltare, mbajtur në Sallën e Palit VI, më 25 nëntorin e kaluar. Ishin të pranishëm 140 eprorë të përgjithshëm, të cilët sapo e kishin përfunduar asamblenë e tyre të 88-të. Papa iu përgjigj rreth tri orë rresht pyetjeve të tyre.

Të  thellojmë shqyrtimin: jo, logjikës bardh e zi

Duke folur për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve, në program për 2018-tën, kushtuar të rinjve, fesë e shqyrtimit të thirrjeve, Papa nënvizoi se tema e shqyrtimit është një nga më të rëndësishmet lidhur me formimin  meshtarak. “Në veprimtarinë formuese jemi mësuar me formula, me  të bardhën e të zezën, por jo me ngjyrëhirin e jetës.  E ajo që ka rëndësi, është jeta, nuk janë formulat. Duhet të rritemi në aftësinë për të shqyrtuar. Logjika bardh e zi mund të çojë në abstragime kazuistike. Ndërsa shoshitje apo shqyrtim, do të thotë të shkosh përpara nëpër ngjyrën e hirtë të jetës, sipas vullnetit të Zotit. E vullneti i Zotit kërkohet sipas doktrinës së vërtetë të Ungjillit, jo sipas fiksimit në doktrinën abstrakte. “Kisha duhet t’i shoqërojë të rinjtë në udhën e tyre drejt pjekurisë, e vetëm me shoshitje e jo me abstragime, të rinjtë mund ta zbulojnë planin e jetës së tyre e të jetojnë një jetë vërtet të hapur për Zotin e për botën”.

Institute të reja, që duket sikur krijojnë siguri, nësa krijojnë rreptësi

“Më shqetëson ligështimi i jetës rregulltare në Perëndim” - vërejti Papa -  duke iu përgjigjur njërës nga pyetjet. Por më shqetëson edhe një gjë tjetër: lindja e disa instituteve rregulltare, që krijojnë shqetësime të reja. Nuk them se nuk duhet të kemi institute të reja rregulltare! Absolutisht jo! Por në disa raste e pyes veten ç’po ndodh sot. Disa prej tyre duken si risi e madhe.  Duken sikur janë një forcë e madhe apostolike, i tërheqin të gjithë e, pastaj…  dështojnë. Nganjëherë zbulohet edhe se prapa skenës kishte ngjarje shkandulluese... Ka fondacione të reja, që janë të mira e punojnë seriozisht. Shikoj se pas këtyre fondacioneve shpesh ka edhe grupe  ipeshkvijsh, që i shoqërojnë dhe garantojnë rritjen e tyre. Veç ka edhe të tjera, që nuk lindin si dhanti e Shpirtit Shenjt, por si dhanti  njerëzore,  që vjen nga një njeri, i cili i tërheq të tjerët me dhantitë e tij të jashtëzakomshme njerëzore… njeri me aftësi për të joshur.  Disa janë, do të thosha, “restauracioniste”, duket sikur japin siguri, por në të vërtetë japin rreptësi. Kur më thonë se ka një kongregatë që tërheq shumë thirrje,  po ju rrëfej se kjo më shqetëson. Shpirti Shenjt nuk funksionin me logjikën e suksesit njerëzor; ka një mënyrë tjetër. Por më thonë: ka shumë të rinj, të vendosur për gjithçka, që luten shumë, që janë besnìkë deri në vdekje. E unë ua kthej: “Shumë mirë, do të shikojmë nëse është Zoti me ta!”. Disa, pastaj, janë pelagjianë, duan të rikthehen tek asketizmi, jetojnë në pendesë, duken si ushtarë, të gatshëm për të bërë gjithçka në mbrojtje të fesë e të zakoneve të mira… e pastaj aty shpërthen shkandulli i themeluesit ose e themelueses… ne e dimë, apo jo? Stili i Jezusit është gjë tjetër. Shpirti Shenjt bëri zhurmë  ditën e Rrëshajëve: ishte fillesa. Por zakonisht nuk bën edhe aq zhurmë. E mbart kryqin pa potere. Shpirti Shenjt nuk është triumfalist!

Devocioni marian

Duke folur për tematika mariane, të zgjedhura në Amerìkën Latine për tri DBR, që do t’i prijnë Ditës së Panamasë, nënvizoi  se cili është devocioni i vërtetë ndaj Zojës së Bekuar. Nuk është - theksoi -  ai i “Përgjegjëses, që kryeson ndonjë zyrë postale e nis çdo ditë nga një letër të re, në të cilën shkruan: ‘Bijtë e mi, bëni këtë’, e më pas, ditën tjetër ‘bëni këtë tjetrën’”. Jo, nuk është kjo Zoja e vërtetë, Zoja është ajo, që lind Jezusin në zemrën tonë, që është Nënë. Kjo modë e Zojës sipëryll, Zojës protagoniste, që e vë veten  në qendër të vëmendjes, nuk është katolike.

Paqja ime është dhanti e Zotit

E pyetën Papën: “Cili është burimi i qetësisë suaj? Ndoshta merrni hapa, që jeni kaq i qetë?”. Gjegji Papa: - “Italianët japin një këshillë të bukur: për të jetuar në paqe, duhet menefregizëm i shëndoshë. Unë nuk kam probleme e kjo, që po jetoj, është përvojë krejt e re për mua. Në Buenos Ajres isha më i kapur nga ankthi, e pranoj. Ndjehesha më i tendosur, më i shqetësuar. Shkurt, nuk isha, siç jam tani. Pata një përvojë shumë të veçantë, e edhe të thellë, që nga çasti kur u zgjodha. E pata, e nuk më lëshon më”.

Para zgjedhjes suaj – i kujtuan - në Kongregacionet e përgjithshme flitej  për problemet e Vatikanit, flitej për reformat. Të gjithë i donin…

Përgjigjja e Papës: “Në Vatikan ka korrupsion. Po unë jam në paqe. Po të ketë ndonjë problem, i shkruaj një biletë Shën Jozefit dhe e vë nën shtatorën e tij, që e kam në dhomë. Është shtatorja e Shën Jozefit, që fle. E tashmë ai fle mbi një jastek biletash. Prandaj flej mirë: është hir i Zotit. Flej gjithnjë 6 orë. E lutem. Lutem në mënyrën time. Breviari më pëlqen shumë e nuk e lëshoj kurrë dore. Mesha, po, është e përditshme. Rruzarja, pastaj… Kur lutem, e marr gjithnjë Biblën. E paqja mbretëron në shpirtin tim. Nuk e di nëse ky është sekret… paqja ime është dhuratë e Zotit. Që uroj të mos ma marrë!

Jeta rregulltare e profecia

Më pas Papa u rikthye tek shpjegimi i veçantisë së jetës rregulltare: “Të jesh radikal në profeci, do të thotë ta jetosh Ungjillin sine glossa - fjalë për fjalë. E kjo do të thotë, pa ilaçe qetësuese. Ungjilli do marrë pa qetësues. Kështu bënë themeluesit tanë!

Në bashkësitë rregulltare të ketë mëshirë e vëllazëri

Përsa i përket jetës në bashkësi, Papa kujtoi disa shenjtorë, që e kanë quajtur “pendesë e vazhdueshme”. Ka bashkësi në të cilat njerëzit çirren e nduken! Nëse në bashkësi nuk hyn mëshira, punët nuk mund të shkojnë mbarë. Për rregulltarët, aftësia për të falur, shpesh herë duhet të nisë në gjirin e bashkësisë. E kjo është profetike. Fillon gjithnjë me dëgjimin: që të gjithë ta ndjejnë se po dëgjohen. Në këshillat presbiteriale të dioqezave, rregulltarët ndihmojnë për të ecur përpara. E nuk duhet të kenë frikë t’i thonë gjërat ashtu si janë. Në strukturat e Kishës hyn fryma e botës, fryma e jetës princore. Rregulltarët mund të ndihmojnë shumë për t’i dhënë fund kësaj klime ogurzezë. E nuk është e nevojshme të bëhesh kardinal, për ta ndjerë veten princ. Mjafton të jesh klerik. E kjo është më e keqja në organizimin e Kishës. Rregulltarët mund të kontribuojnë me dëshminë  e vëllazërimit më të përvuajtur. Mund të japin dëshminë e një ajsbergu të përmbysur, ku maja, kryet, është kthyer tatëpjetë!

Thirrjet rregulltare: të vërtetohet pjekuria e duhur  

Papa iu përgjigj edhe një pyetjeje lidhur me shpërdorimet seksuale, të kryera nga klerikët mbi të miturit: “Lidhur me shpërdorimet seksuale – pohoi - më duket se ndër 4 vetë që shpërdorojnë, 2 janë të shpërdoruar më përpara. Kështu mbillet shpërdorimi për të ardhmen. E kjo është shkatrrimtare. Po të jenë të ngatërruar priftërinj ose rregulltarë në këtë çështje, duhet ta kesh të qartë se vepron prania e djallit,  e cila e rrënon veprën e Jezusit me dorë të atij, që duhej ta kumtonte Krishtin! Por, ta themi qartë: kjo është sëmundje! Nëse nuk bindemi se kjo është sëmundje, nuk mund të zgjidhet mirë as problemi. Prej këndej, duhet shumë vëmendje që kandidatët për jetë rregulltare të pranohen, pasi të sigurohemi mirë për pjekurinë e tyre afektive.

Kisha lindi në dalje, nuk duhet të rikthehet e të mbyllet në Çenakull

Së fundi, Papa kujtoi se “Kisha u lind në dalje”. Ishte e mbyllur në Çenakull e pastaj, doli. E duhet të mbetet në dalje. Nuk duhet të kthehet e të mbyllet rishtas në Çenakull. Vetë Jezusi deshi të ishte kështu! E “jashtë” do të thotë të shkosh në ato, që unë i quaj periferi, ekzistenciale e shoqërore. Të varfërit ekzistencialë e të varfërit shoqërorë e shtyjnë Kishën të dalë jashta vetes. Të mendojmë për një nga format e varfërisë, atë që lidhet me emigrantët e refugjatët: më e rëndësishme se çdo marrëveshje ndërkombëtare, është jeta e njerëzve”.

E Papa përfundon me fjalët: “Ta kujtojmë gjithnjë se mëshira është Zoti në dalje! E Zoti është gjithnjë në dalje. Dilni, prandaj, edhe ju!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.