2017-02-09 15:15:00

Urimet e Papës për “La Stampa”: mos e harroni kurrë oqeanin e së mirës


“I uroj gazetës ‘La Stampa’ ta pasqyrojë botën në të cilën jetojmë, duke përshkruar larminë e ndërlikimet e saj, pa harruar kurrë oqeanin e së mirës, që na bën ta shohim të ardhmen me shpresë”. Kështu shkruan Papa Françesku në numrin e veçantë për 150-vjetorin e së përditshmes torineze.

         Ftesa e Atit të Shenjtë është të mos lejojmë që e keqja të na e vjedhë shpresën: “sfida – u shkruan redaktorëve – është të fitojmë mbi globalizimin e indiferencës, që na i ngurtëson zemrat”. Për Papën është pikërisht ky ngurtësim, që na bën të na duken lajme “të zakonshme, autobombat terroriste, kudo ku shpërthejnë, me llogarinë e tyre brutale të vdekjes; emigrantët, që mbyten në Mesdhe, mbi barka të shndërruara në arkivole; të pastrehët, që vdesin nga të ftohtit nëpër rrugë, gati pa i bërë përshtypje askujt”. Kështu, ngul këmbë Ati i Shenjtë, “degradojmë pak nga pak: askush nuk na përket e ne nuk i përkasim askujt. Por jeta na është dhuruar e jemi të ftuar ta ndajmë, në këtë shtëpi të përbashkët, duke u interesuar për njëri-tjetrin”.

         Sfida tjetër, për Papën Françesku, kthehet në thirrje për të qenë realistë. “Nuk mund ta injorojmë varfërinë, nënzhvillimin, emigracionin, shfrytëzimin e tokës dhe ndotjen e planetit – përfundon shkrimin për gazetën italiane ‘La Stampa’. Është themelore të kërkojmë zgjidhje të gjithanshme”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.