2017-02-09 12:27:00

Papa: gruaja sjell harmoninë, që e bën botën të bukur


“Pa gruan, nuk mund të ketë harmoni në botë”. Kështu u shpreh Papa gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në qendër të reflektimit të Françesekut, ishte figura e gruas, duke nisur nga  Krijimi, siç e rrëfen Libri i Zanafillës. Burri e gruaja nuk janë njëlloj, e asnjëri nuk qëndron më lart se tjetri. Gjithsesi, nuk është burri, por gruaja, ajo që e sjell harmoninë, e cila e bën botën të bukur - nënvizoi Papa.

Françesku vijoi reflektimin e tij mbi krijimin, propozuar këto ditë nga Leximet, shkëputur prej Librit të Zanafillës. Zoti - kujtoi – i pati krijuar të gjitha llojet e frymorëve, po burri nuk shoqërohej me ta. Ishte krejt i vetëm! Atëhere Zoti ia hoqi një brinjë e me të gatoi gruan, që burri e njohu si korp prej korpit të vet. Por, para se ta shihte - kujtoi Papa - e kishte  ëndërruar: për ta kuptuar gruan, duhet ta ëndërrosh - shpjegoi Françesku. Pa gruan, nuk ka harmoni.

Shpesh herë, kur flasim për gratë, merremi vetëm me rangët e tyre e themi: “Epo, gruaja për këtë punë është bërë!”. Ndërsa – vërejti Papa -  gruaja ka  një pasuri, që burri nuk e ka: gruaja i sjell harmoninë Krijimit:

“Kur nuk është gruaja, mungon harmonia. Ne, duke folur ndërmjet nesh, themi: ‘Po kjo është shoqëri me sjellje të forta mashkullore, është kështu, apo jo? Mungon gruaja. ‘Po, po, gruaja duhet për të larë pjatat, për të bërë....’. ‘Jo, jo, Jo! Gruaja është për ta mbushur botën me harmoni. Pa gruan, nuk ka harmoni. Nuk janë njëlloj, nuk janë njëri më i aftë se tjera: jo. Një ndryshim veç e kanë: ai nuk e sjell harmoninë, e sjell ajo! Ajo e sjell këtë harmoni, që të mëson të ledhatosh, të duash dhembshurisht. Ajo është, që e bën botën një gjë vërtet të bukur!

Të shfrytëzosh burrin është krim, të shfrytëzosh gruan, do të thotë të shkatërrosh harmoninë

Tre, çastet kryesore të homelisë së Françekut: vetmia e burrit, ëndërrimi i gruas, fati i të dyve: të jenë një trup i vetëm. E Papa solli këtu një shembull konkret. Tregoi sesi në një audiencë, ndërsa po përshëndeste njerëzit, e pyeti një çift, që po kremtonte 60-vjetorin e martesës: “Cili nga ju pati më shumë durim?”:

“E ata më shikuan mua, pastaj u shikuan sy më sy - e unë nuk do t’i harroj kurrë ata sy, eh? Më pas u kthyen rishtas nga unë e më thanë, të dy një goje: ‘Jemi të dashuruar!’. Pas 60 vjetësh, kjo do të thotë se qenë bërë vërtet ‘një trup i vetëm’. E këtë e sjell gruaja: aftësinë për të dashuruar. Sjell harmoninë në botë”.

Shpesh dëgjojmë të thuhet: “Nuk është e nevojshme që në këtë shoqëri, në këtë institucion, të ketë edhe një grua, që të bëjë këtë e atë... Jo, jo, funksionaliteti nuk është punë grash! Është e vërtetë se gruaja duhet të bëjë disa punë grash, që edhe i bën. Por detyra kryesore e saj nuk është kjo: gruaja ka për detyrë të krijojë harmoninë, e, pa gruan, nuk mund të ketë harmoni në botë! Të  shfrytëzosh burrin, është krim, por të shfrytëzosh gruan është edhe më keq: është të rrënosh harmoninë - ripohoi Françesku - duke kujtuar edhe Ungjillin e sotëm, ku  flitet për gruan siro-fenikase.

Zoti e krijoi gruan, që të gjithë të kishim një nënë

Papa e përfundoi homelinë me një hollësi personale:

“Kjo është dhurata e Zotit: na dhuroi gruan. E në Ungjill dëgjuam për çfarë është e zoja gruaja, eh? Është guximtare, eh? Ka ecur përpara me guxim. Por ka bërë më shumë, edhe më shumë: gruaja është harmoni, është poezi, është bukuri. Pa të bota sigurisht nuk do të ishte kaq e bukur, nuk do të kishte gjithë këtë harmoni. E mua më pëlqen të mendoj - pohoi  në përfundim Papa - se Zoti e krijoi gruan, që të gjithë të kishim një nënë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.