2017-02-08 15:22:00

Papa ipeshkvijve të Jugut të Italisë: ”Kur nuk fitohet buka, humbet dinjiteti"


Duke u drejtuar mesazhin e tij ipeshkvijve të Jugut të Italisë, me rastin e kuvëndimit me temë “Kisha dhe puna. Çfarë ardhmërie për të rinjtë e Jugut?” që përfundoi sot në Napoli, Papa thekson:

“Shoqëria, që nuk u ofron  breznive të reja  mundësi të mjaftueshme  për punë dinjitoze, nuk mund të quhet e drejtë. Kur nuk mund të fitohet buka, humbet dinjiteti”.

Kështu shprehet Papa Françesku në mesazhin e tij drejtuar ipeshkvijve të Kampanias, Pulies, Bazilikatës, Kalabrisë, Sicilisë e Sardenjës, mbledhur në Napoli për kuvëndimin “Kisha e puna. Çfarë ardhmërie për të rinjtë e Jugut”. Takimi është një etapë drejt Javës së ardhshme  shoqërore të katolikëve italianë që, sipas programit, do të zhvillohet në Cagliari, nga 26 deri më 29 tetorin e ardhshëm, kushtuar pikërisht temës së punës.

“Në qendër të çështjes së punësimit duhet vënë gjithnjë njeriu, me dinjitetin e tij” , u kujton Papa prelatëve dhe pjesëmarrësve, në tekstin e nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke i nxitur të gjejnë rrugëzgjidhje konkrete  për t’iu kundërvënë asaj që është bërë tashmë plagë e hapur e kohëve tona, në kuptimin e plotë të fjalës: “papunësia”. Kjo është drama e kohëve që jetojmë - pohon  Papa –posaçërisht për të rinjtë të cilët, pa punë, nuk kanë asnjë perspektivë e mund të bien lehtësisht pre e kriminalitetit  të organzuar.

Papa shpreson se “bashkësitë kishtare, përkrah institucioneve, do të përpiqen me përkushtim që të gjejnë rrugë të përshtatshme për shërimin e plagës, gjithnjë më të përhapur, të papunësisë rinore e të punës së zezë, dramë e një mori punëtorësh të shfrytëzuar nga lakmia, pasojë e mendësisë që shikon vetëm paranë e përfitimin ekonomik, në dëm të njeriut”.

Fjalë, këto, të ipeshkvit të Romës, që bëhen edhe më domethënëse në rrethanat e vdekjes së një të riu të papunë, 30 vjeçar, në Trieshtë, që “i neveritur nga bisedimet e pafundme për punë të kota, i nevritur nga humbja pa asnjë sukses e energjive rinore, e ndjenjave e dëshirave, pa arritur asnjë rezultat, i dha fund jetës, për t’u hakmarrë, në emër të breznisë së tij të djegur, të cilën koha e sotme e grabit ditë për ditë. I grabit lumturinë. Djaloshi merrte hak për lumturinë e vjedhur!   








All the contents on this site are copyrighted ©.