2017-02-08 14:19:00

Chiara Amirante dhe imzot Dal Toso komentojnë mesazhin e Krezhmëve


Dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit Mesazhi i Papës Françesku për Krezhmët e këtij viti. Tema: “Fjala është dhuratë. Tjetri është dhuratë”. Ndër të pranishmit, edhe Sekretari i Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, imzot Giovanni Pietro Dal Toso, dhe themeluesja e Bashkësisë “Horizonte të Reja”, Chiara Amirante. Pikërisht përvoja e saj më se 30 vjeçare u propozua si dëshmi konkrete për të ilustruar faktin se Fjala e Zotit dhe tjetri janë vërtet dhuratë. Por, të dëgjojmë vetë Chiara Amiranten:

Në këtë takim me të vuajturit, kam përjetuar me të vërtetë atë, që nënvizon Papa Françesku në këtë mesazh: çdo takim me të varfërit është takim i privilegjuar me Krishtin. Prandaj është dhuratë unike, është dhuratë, që të pasuron çdo ditë, është dhuratë me të cilën e ndjen shpatën që ta përshkon zemrën, sepse kur dëgjon britmën e të varfërit, ajo britmë të prek deri thellë. Por bën edhe përvojën e kundrimit të mrekullive, sepse zbulon se Zoti është dashuri e asgjë s’është e pamundur për Të. Prandaj, këtyre viteve, edhe në gjendjet më të këqia, më të dëshpëruara, më të pamundura, kam provuar se dashuria është vërtet më e fortë, dashuria fiton.

Por, duhet të jemi të sinqertë: për shumë prej nesh nuk është kjo, përvoja e përtditshme. Ne na japin bezdi të varfërit, të pastrehët që shohim rrugës, emigrantët, si në nivelin personal, ashtu edhe në nivelin global tashmë. Bota po kalon një çast me prirje për ta mbyllur zemrën. Çfarë na mëson Mesazhi i Papës?

Mesazhi nënvizon se mospranimi i dhuratës së Fjalës së Zotit na verbëron e na e mbyll zemrën edhe ndaj tjetrit - edhe ai dhuratë. Është e natyrshme e njerëzore të kesh frikë nga vëllai, që jeton në vështirësi, sepse – siç thotë Papa në Mesazh – shpesh kjo nuk na lë të qetë e na e prish rehatinë, por në të vërtetë është thirrje për të ndryshuar jetën. Problemi është se tashmë këtë sfidë – duke kapur vetëm temën e emigracionit, për shembull – sigurisht nuk e zgjidhim me mure. Sepse s’ka mur, që mund ta ndalojë të dëshpëruarin! Absolutisht, duhet të bashkohemi për të gjetur zgjidhje të tjera.

 Edhe imzot Giovanni Pietro Dal Toso vë theksin në takimin me “tjetrin”, dhuratë e Zotit, të cilën Papa e nxjerr mirë në pah në Mesazhin për Krezhmët:

Në fund të fundit, Papa vë gishtin mbi një çështje themelore për çdo njeri, por në veçanti për të krishterin: sa është në gjendje ta hapë zemrën, sepse pikërisht nga kjo i vjen jeta; nga mbyllja i vjen vdekja. Ati i Shenjtë nënvizon se rrënjët e të këqiave të pasanikut janë në mosdëgjimin e Fjalës së Zotit. Kur njeriu e lë Zotin të veprojë, bëhet më i ndjeshëm edhe ndaj atyre, që ka përreth. Të dëgjosh Zotin do të thotë të dëgjosh edhe njeriun. Të pranosh se tjetri nuk është rrezik, nga i cili duhet të kem frikë, por është dhuratë, diçka që më pasuron, do të thotë të pranosh një përvojë të madhe njerëzore. Secili prej nesh jeton vetëm në sajë të marrëdhënieve njerëzore. Ne mund të jemi vetvetja, vetëm në sajë të njerëzve, që vazhdimisht, gjatë jetës sonë, na pasurojnë: madje, edhe ata, që na sfidojnë, janë ndihmë për pjekurinë. Kur kuptohet kjo, kur tjetri shihet jo si rrezik, si kërcënim, si kufizim, por si nevojë jete, atëherë kemi në dorë një mesazh të rëndësishëm, që duhet ta bëjmë tonin.

Pa dyshim, të krishterët janë të parët, që duhet ta ndryshojnë zemrën. Janë të thirrur ta ungjillëzojnë vazhdimisht jetën, ashtu siç thekson gjithmonë Papa Françesku. Chiara Amirante:

Absolutisht, po! Problemi i vërtetë është se e kemi harruar thelbin e mesazhit të Krishtit: “Ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë juve!”. E na e dha këtë urdhërim si sekret për të arritur gëzimin e plotë. Nëse lejojmë që ky mesazh të na shkaktojë krizë, nëse nuk e kuptojmë se është urdhërim e jo opcion për të krishterët, nëse nuk e marrim seriozisht, krishterimi ynë nuk është krishterim: është diçka tjetër! Dashuria revolucionare, që e ndryshon botën, nuk është, pa dyshim, monedha, të cilën e japim për të larë ndërgjegjen, por është ajo “duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë”. Për këtë arsye, bashkësitë e para të krishtera sollën edhe revolucion shoqëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.