2017-02-07 18:07:00

Imzot Sorondo: trafiku i organeve është krim kundër njerëzimit


Mbahet në Vatikan, në Shtëpinë Piu IV, me 7 e 8 shkurt, takimi dyditor mbi trafikun e organeve dhe turizmin e transplantimit të tyre. Në konferencën e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, merr pjesë edhe një përfaqësues i Kinës, e cila akuzohet shpesh për transplantimin e paligjshëm të organeve të njerëzve të dënuar me vdekje. Fenomeni është edhe më shqetësues nga ç’tregojnë shifrat zyrtare. Që nga viti 2015, në Kinë, ka një ligj që lejon dhurimin vullnetar të organeve, por shifrat ndërmjet dhuruesve dhe transplanteve janë jashtëzakonisht të çekuilibruara.

“Këto janë krime të vërteta, që e lëndojnë humanitetin e duhet të njihen si të tilla nga të gjitha autoritetet fetare, politike e shoqërore, si edhe të sanksionohen si të tilla nga ligjet kombëtare e ndërkombëtare”. Nga këto fjalë të Papës Françesku është frymëzuar takimi, ku marrin pjesë ekspertë nga e gjithë bota, në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje konkrete një fenomeni në rritje, tejet i lidhur me plagët më dramatike të shoqërisë, si emigracioni i detyruar, varfëria e shfrytëzimi. Të dëgjojmë kancelarin e Akademisë Papnore të Shkencave, imzot Marcello Sanchez Sorondo:

“Kemi arritur ta hapim këtë diskutim në OKB e kjo ka bërë që, për herë të parë në histori, të pranohet se ekziston plaga e trafikut njerëzor, e cila shfaqet me anë të formave të reja të skllavërisë, të punës së detyruar, sidomos ndër fëmijë, si edhe në formën e trafikut të organeve. Tani, 193 vendet e Pallatit të Qelqit kanë një detyrim të ri moral. Natyrisht, gjëja e parë që u vu në dukje sot është se ka shumë heshtje rreth fenomenit! Kemi të bëjmë me një praktikë, që s’mund të realizohet pa bashkëpunimin e mjekëve, prandaj folëm për temën e ndërgjegjësimit të kësaj kategorie. Zgjidhje praktike? Së pari, të thuhet qartë se ky është krim kundër njerëzimit, sepse nëse nuk thuhet, njerëzit nuk e kuptojnë. T’i heqësh një organ një personi, në mënyrë kaq të vetëdijshme… po si mund të bëhet kështu: ky është krim kundër njerëzimit!”

         Trafiku i organeve shfrytëzon varfërinë e njerëzve. Kriminaliteti përfiton nga pabarazitë shoqërore për të gjetur forma të paligjshme fitimi. Të dëgjojmë argjentinasin Gustavo Vera, aktivist për të drejtat e njeriut, pedagog e politikan:

         “Shumë të varfër në botë i japin vullnetarisht organet, që blihen nga të pasurit. Është praktikë abuzive, që në dukje, ngjan e ligjshme, por në të vërtetë, fsheh një trafik të paligjshëm! Ka raste në Azi, në Afrikë, që janë denoncuar; kërkojnë njerëz me probleme, që i shesin organet, sepse janë ekonomikisht të dëshpëruar. Për ta shëruar këtë plagë duhet ta bëjmë publike këtë temë e të krijojmë rrjete, duke bashkëpunuar me shoqërinë civile e me shtetet. Së dyti, organet nuk duhen konsideruar mall e duhen kthyer në dhuratë, në të drejtë njerëzore për të gjithë. Së fundi, është e nevojshme që shpërndarja e organeve të dhuruara të bëhet sipas nevojave të popullsisë, duke mos ndjekur logjikën e kujt ka më tepër para. Organet nuk mund të shiten në treg!” 








All the contents on this site are copyrighted ©.