Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Auza në OKB: paqja e lufta kundër varfërisë, sfida botërore

Imzot Bernardito Auza - RV

07/02/2017 17:37

Varfëria nuk mund të përballohet vetëm me kategori ekonomike, por në të gjitha përmasat e saj shoqërore për t’i garantuar çdo njeriu mundësinë të realizojë aspiratat e tij me dinjitet e në një ambient të shëndoshë. Kështu foli kryeipeshkvi Bernardito Auza, nunc apostolik e Vëzhgues i Selisë së Shenjtë në OKB, në sesionin e 55-të të Komisionit për Zhvillimin Shoqëror, me temë “Strategji për çrrënjosjen e varfërisë dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë”.

Paqja dhe zhdukja e varfërisë janë luftë e përditshme

Zhdukja e varfërisë, ashtu si paqja, shpjegoi prelati, nuk mund të konsiderohen të fituara një herë e përgjithmonë. Janë pjesë e një sfide globale, që kërkojnë edhe arritjen e njëkohshme të përparimit shoqëror e të zhvillimit ekonomik. Në botë ka tepër pabarazi shoqërore. Nga njëra anë, miliona njerëz janë përfshirë në konflikte, dhunë, urrejtje e frikë, ndërsa miliona të tjerë e konsiderojnë paqen si të sigurtë tashmë. Por ka edhe vende që, dikur në paqe, sot janë bërë më të paqëndrueshme për shkak të mungesës së mundësive për punë e zhvillim dhe ashpërsimit të tensioneve shoqërore.

Të investohet në favor të rinisë

Prandaj, vijoi imzot Auza, nëse duam ta çrrënjosim varfërinë e të kemi paqe të qëndrueshme, u duhet dhënë fund konflikteve, shkak kryesor për emigracionin e për zhvendosjen e detyrueshme të popullsive. Por, njëkohësisht, duhen edhe politika e investime konkrete. Vëzhguesi i Vatikanit kërkoi përpjekje më të mëdha për arsimimin e të rinjve, për t’u dhënë atyre mundësi e punë, që të jenë në gjendje të kontribuojnë në shoqëri, në arritjen e paqes e të mos bien pre e ideologjive ekstremiste.

Të mbrojmë familjen, të moshuarit dhe emigrantët

Duhet treguar kujdes i madh për të mënjanuarit e shoqërisë, vijoi prelati, si të moshuarit, që kanë kontribuar në pasurimin ekonomik të vendit dhe vazhdojnë të prodhojnë pasuri me përvojën dhe njohuritë e tyre. I rëndësishëm roli i familjes. Ajo, amortizator i vërtetë shoqëror, duhet mbështetur me politika fiskale. Së fundi, shprehu bindjen imzot Auza, zhvillimi i qëndrueshëm duhet të përfshijë edhe emigrantët, të shpërngulurit e refugjatët. Jo vetëm duhet të repsektojmë të drejtën e çdo njeriu për të emigruar, por edhe të bashkëpunojmë për integrimin e secilit në vendet e emigrimit.

07/02/2017 17:37