2017-02-06 12:53:00

Takim në Romë: “50 vjet nga shkatërrimi i tempujve të fesë”


“Diktatura që pushkatonte ikonat”, “Italishtja e burgosur”, “Mjekrra ortodokse, që nuk kishte të drejtë të rritej”: janë disa paradokse, që të mbesin në mend nga takimi i djeshëm në Kishën e Shën Gjonit të Malvës, në Romë, ku shqiptarët e diasporës u mblodhën për të përkujtuar 50-vjetorin e fjalimit famëkeq të 6 shkurtit 1967, me të cilin iu hap udha shkatërrimit të kishave e të xhamive në Shqipëri. Paradoks vetëm për të qarë, për ata që i kanë përjetuar ngjarjet e persekutimet, ndonëse mund t’i duket për të qeshur, ose së paku për t’u çuditur, ndokujt që i sheh gjërat nga jashtë apo i dëgjon për herë të parë.

Vërtet, i larmishëm ishte publiku, që e kishte mbushur plot kishën në orën 17.00 të së djeshmes, kur menjëherë pas meshës në gjuhën shqipe, filloi konferenca me temë “50 vjet nga shkatërrimi i tempujve të fesë”, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë e nga Rektoria e kishës së Shën Gjonit të Malvës. Shqiptarë të vjetër e të rinj, por edhe italianë e miq, që s’mund t’u besonin veshëve për ç’po dëgjonin, ndoqën me vëmendje paraqitjen historike të skalabrinianit shqiptar, atë Aldo Skoda Pashkja, zv.drejtor i SIMI-t, Shërbimit Ndërkombëtar të Skalabrinianëve për Emigracionin, i cili përshkoi datat më të rëndësishme, që shënuan fillimin dhe ashpërsimin e luftës së diktaturës kundër fesë.

Me mjeshtëri fjale, atë Aldo Pashkja vuri në dukje se persekutimi nuk filloi në atë 6 shkurt të 50 vjetëve më parë, por ishte pjesë e një plani të menduar mirë, që në fillimet e komunizmit, për ta privuar kombin nga liria më themelore, ajo e besimit, duke e paraqitur fenë si “opium për popujt” – frazë shabllon, mësuar në çdo shkollë e në çdo nivel në Shqipërinë ateiste të dikurshme e që shërbeu vetëm për ta varfëruar shpirtërisht popullin shqiptar, siç nënvizoi meshtari.  

I ngarkuari me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, z. Visar Zhiti, paraqiti këndvështrimin e të persekutuarit mbi ato vite të tmerrshme, në kumtesën e tij “Persekutim dhe martirë, qëndresë dhe shenjtëri”. Të tijat janë frazat, që thamë në fillim, tipike për histori të shkurtra e të jetuara, për të cilat z. Zhiti është dëshmitar, duke qenë ai vetë i persekutuar e i burgosur. “Italishtja e burgosur” është italishtja që ai vetë e mësoi në burg; “ikona e pushkatuar”, që përmendi gjatë fjalës së tij, akoma sot qëndron e varur në Muzeun e Ikonave në Korçë, e shpuar nga plumbat e ushtarëve, të cilëve ua kishin dhënë për shënjestër; “mjekrra e ortodoksit” ka ekzistuar vërtet e i përket një popi, që s’mund të ishte më pop, por nuk i lejohej as të rriste më mjekrrën. Ishte koha kur edhe të huajve, që zbarkonin në Shqipëri, u rruanin mjekrrat e u qethnin flokët në aeroport, sepse ato nuk kishin “vizë” për në atdheun e diktatorit.

Absurd, që theksohet edhe më, nëse mendohet për rëndësinë e klerit katolik në kulturë. Për ta thënë me fjalët e “poetit të burgjeve”, Visar Zhiti, ata “prodhuan kulturë e identitet e me veprat e tyre themeltare ‘sollën Evropë’”, sepse aty kishin studiuar, në fakultetet më në zë të kontinentit. Persekutimi i bëri shenjtorë e bota fillon t’i njohë. 38 martirët e parë të kësaj kohe të errët janë lartuar tashmë në nderimet e elterit, duke vënë para përgjegjësisë edhe shqiptarët e Shqipërinë, që e kanë për detyrë të synojnë drejt virtyteve e vlerave më të larta të jetës.

I madh ka qenë trishtimi i arbëreshëve të Italisë, të cilët kur u hap kjo “Vazo Pandore” me tmerret e komunizmit, në vitet ’90, kuptuan se delegacionet, që kishin pritur e përcjellë në kohën e diktaturës, nuk vinin për të folur mbi De Radën e pinjollët e tjerë të shqipes, por për të himnizuar regjimin. “Na vjen keq që i kemi ndihmuar”, nënvizoi para të gjithëve, arbëreshi Virgilio Avato nga Grottaferrata, duke hapur kështu një faqe të dhimbshme, e cila meriton të studiohet.

“Ave Maria” e Shubertit, kënduar nga sopranoja Ana Lushi, dhe përshëndetja e Rektorit të Kishës, don Pasquale Ferraro, përgjegjës për baritorinë e katolikëve shqiptarë në Itali, hapën e mbyllën një takim, ku ishin të pranishëm shqiptarë të diasporës, arbëreshë, italianë, intelektualë, gazetarë, drejtues shoqatash e studiues, personalitete të Kishës si kardinali Antonio Maria Veglio, kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe Endacakëve, mons. Pier Paolo Felicolo, drejtori i Zyrës “Migrantes” të dioqezës së Romës etj..








All the contents on this site are copyrighted ©.