2017-02-06 17:15:00

Parolin përfundon shtegtimin në Afrikë, me urimin: “solidariteti e mundtë indiferencën”


Me vizitën në Kongo, përfundoi shtegtimi i kardinalit Parolin në Afrikë. Hirësia e Tij vizitoi Madagaskarin dhe Republikën e Kongos, duke u ndaluar edhe në Kenia. Misioni i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit përfundoi  të shtunën, në Brazavil.

Këtu, të shtunën u nënshkrua Marrëveshja Kuadër ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kongos. Me rastin e ceremonisë së firmës, kardinali bisedoi me presidentin e Republikës kongoleze, Denis Sassou N’Guesso: u  prekën argumente të ndryshme të politikës ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë ndaj situatës në Libi, në Afrikën Qendrore si dhe në Republikën Demokratike të Kongos. U vunë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës Katolike vendase dhe Autoriteteve të Shtetit, të fuqizuara më tutje nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kuadër. U kujtua edhe 40-vjetori i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë dhe me institucionet kishtare, që punojnë në dobi të popullsisë, posaçërisht në fushën edukative dhe shëndetësore. Presidenti u ndalua posaçërisht tek konflikti në zonën e Pool dhe tek politika e qeverisë për të vendosur stabilitetin e rendin  publik, duke i krijuar, kështu, popullsisë, kushtet të jetojë qetësisht. Lavdëroi edhe veprimtarinë e Papës dhe të Selisë së Shenjtë për gjithçka bëjnë në promovimin e paqes dhe të shuarjes së konflikteve. Së fundi, ftesa zyrtare drejtuar kardinalit Parolin, që Ati i Shenjtë të vizitojë Kongon gjatë shtegtimit të tij të ardhshëm në Afrikë.

E premtja e kaluar përfundoi me vizitën në shtëpinë e të varfërve, drejtuar nga Motrat e Vogla të Skamnorëve. Në Institut strehohen rreth 70 të moshuar, ndërmjet të cilëve, edhe meshtarë të sëmurë rëndë. Sekretari i Shtetit i takoi një për një. Para se të largohej nga Instituti, në  përshëndetjen e rastit, duke kujtuar fjalët e Papës, theksoi se të moshuarit janë si rrënjët e një druri. Po të priten, shoqëria thahet e shembet përdhe. Më pas i falënderoi motrat për këtë shërbesë të merituar e të çmuar.

Më 4 shkurt, dita e fundit e qëndrimit të kardinalit Parolin në trojet kongoleze, prelati kryesoi, në Bazilikën kombëtare të Shën Anës, bashkëkremtimin eukaristik me nuncin apostolik, me të gjithë ipeshkvijtë, me 150 meshtarë e rreth 3000 besimtarë, që e ndoqën Meshën brenda e jashta kishës. Mesha Shenjte u kremtua sipas formularit “Zoja, Pajtore e Kongos”. Në rit mori pjesë edhe kreu i shtetit si dhe autoritetet më të larta të vendit.

Homelia e kardinalit u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, posaçërisht kur bëri thirrje për drejtësi e paqe: “Jetoni në paqe e dialog – ky mesazhi i homelisë - kultivoni dhembshurinë e Zotit, jo mëllefin e mërinë; ndarjen e përbashkët, jo egoizmin; unitetin, jo përçarjen fisnore; solidaritetin, jo indiferencën”.

Kremtimi përfundoi me Aktin e Kushtimit të Kongos Virgjërës Mari. Mbrëmjen e së shtunës, më 4 shkurt, duke përfunduar vizitën e tij në Afrikë , kardinali Parolin u shoqërua në aeroportin Maya-Maya, prej nga u nis për Romë, pas ceremonisë së lamtumirës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.