2017-02-06 18:24:00

Kisha lumnon martirin japonez Ukon, samurai i Krishtit


Sot u shpall i Lum martiri japonez Justus Takayama Ukon, zotëri feudal e samurai, që jetoi në shekullin XVI e zgjodhi mërgimin, për të mos e mohuar fenë e krishterë. Mesha, me ritin e Lumnimit u kremtua në Osaka  të Japonisë, kryesuar nga  kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Po e kujtojmë sot figurën e të Lumit të ri:

“Luftëtar me katanë - shpatë e luftëtarëve japonezë - gjithnjë në përmjet, në formë kryqi”. Kështu e paraqet shtatorja Ukon-in, samurain e Krishtit. Është shëmbëlltyrë e jetës së fisnikut që - nga daimyo, zotëri i rëndë feudal, i pathyeshëm në betejë - u shndërrua në varfanjak e mërgimtar, deri në çastin e fundit të jetës. I lindur në vitin 1552, u pagëzua në moshën 12 vjeçe, kur i ati, në vend të shpatës, rroku fenë e krishterë, si kishte ndjekur predikimet e jezuitit Shën Françesk Saveri. Zotërinjtë feudalë, Takayamat, që sundonin rajonin e Takatsuki e të Ukon, angazhoheshin në përhapjen e krishterimit, me themelimin e seminareve dhe formimin e misionarëve  e të katekistëve. Në trojet e tyre, banuar nga një popullsi prej 30 mijë vetësh, rreth 25 mijë përqafuan fenë e krishterë. Kardinali Angelo Amato, që kryesoi sot Meshën me ritin e lumnimit, e kujtoi kështu figurën e të Lumit:

“E pranoi mesazhin kryesor të Krishtit. Ligjin e dashurisë së krishterë. Prej këndej, u shndërrua në njeri i mëshirshëm, që i ndihmonte nënshtetasit, u shërbente të varfërve, mbështeste samurait nevojtarë. Themeloi sivëllazërinë e mëshirës. Vizitonte të sëmurët, ishte bujar në lëmoshë, mbante mbi supe, së bashku me atë Darion, arkivolin e të vdekurve, që nuk kishin familje, të cilët edhe i varroste. Kjo sjellje e jashtëzakonshme i mrekulloi njerëzit, që e rrethonin, të cilët nisën shpejt ta imitonin”.

Persekutimet filluan në vitin 1587, kur kreu Hideyoschi dha urdhër të dëboheshin misionarët. Ukon dhe babai i tij hoqën dorë nga nderimet e nga pasuria, duke zgjedhur varfërinë. Nisën, pastaj, edhe kryqëzimet, e, së fundi, kur shoguni apo kreu Tokugawa e ndaloi përfundimisht fenë e krisherë, Ukon, për të mos e mohuar publikisht Krishtin, mërgoi në Filipine, së bashku me 300 të krishterë të tjerë. Vdiq 40 ditë pasi kishte arritur.

E kreu, kështu, udhën e shpatës. Që për të, u bë Udha e Kryqit. Filmi, me këtë titull, përshkruan pikërisht këtë udhë kthimi në fenë e Krishtit: nga Pagëzimi, ende i vogël, bashkë me t’anë, tek çasti i kthesës së madhe, në mes të fushës së betejës, kur hoqi dorë nga pozita e zotërisë feudal, e kështjellës dhe e gjithë pasurisë, për të ecur në Udhën e Kryqit.

I mahnitur nga mesazhi i Jezusit, që dhuron jetën për dashuri, Ukon kuptoi se ky ishte flijimi i vërtetë e nderi i vërtetë! E sot, edhe lumnia e vërtetë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.