2017-02-05 09:00:00

Nënë Tereza në qendër të Ditës së 39-të Italiane për jetën


Nënë Tereza, së bashku me Papën Françesku, në qendër të Ditës së 39-të Italiane për jetën, që kremtohet sot. Tema e zgjedhur sivjet nga ipeshkvijtë italianë është “Gra e burra për jetën, në gjurmët e Shën Terezës së Kalkutës”. Mesazhi për këtë ditë është bërë i njohur që në tetor e citon shpesh Papën Françesku e shenjten bamirëse shqiptare.

“Ëndërra e Zotit – thotë shpesh Ati i Shenjtë – realizohet në histori përmes kujdesit për fëmijët e për gjyshërit. Fëmijët ‘janë e ardhmja, janë forca, ata që na bëjnë të ecim përpara. Janë ata, në të cilët shpresojmë’; gjyshërit ‘janë kujtesa e familjes. Janë ata, që na kanë transmetuar fenë’”.

Kujdesi për gjyshërit e fëmijët, theksohet më tej në Mesazh, “kërkon përpjekje për t’u rezistuar sirenave të një ekonomie të papërgjegjshme, që shkakton luftë e vdekje. Të edukosh për jetën do të thotë të hysh në një revolucion civil, i cili e shëron nga brenda kulturën e hedhurinave, shëron nga logjika e lindjeve të pakta, nga kriza demografike, duke favorizuar mbrojtjen e çdo njeriu, që nga lulëzimi i jetës e deri në fundin e saj të natyrshëm”.

Kështu “përsërit akoma sot Shën Tereza e Kalkutës, përmes fjalës së famshme me rastin e marrjes së Çmimit Nobel 1979: ‘Të bëjmë ç’është e mundur që çdo fëmijë të dëshirohet me shpirt’; e siç këndon me himnin e saj të jetës: ‘Jeta është bukuri, admiroje. Jeta është mundësi, pranoje. Jeta është lumni, shijoje. Jeta është ëndërr, realizoje… Jeta është jetë, mbroje’. Nënë Tereza, shenjtja e të fundmëve të Kalkutës, na mëson ta dëgjojmë ofshamën e Jezusit në kryq: ‘Në atë ‘Kam etje’ (Gjn 19,28) mund të dëgjojmë zërin e të vuajturve, britmën e fshehur të të vegjëlve të pafajshëm, të cilëve u mohohet drita e kësaj bote, përgjërimin e zjarrtë të të varfërve dhe të atyre, që kanë nevojë për paqe’”.

“Kur Papa komenton Fjalën e Zotit në mëngjes, ose kur mban fjalime në udhëtimet e ndryshme apostolike – shkruhet në Mesazh – nuk mungon të na inkurajojë të bëjmë ëndërra të mëdha” e familjeve u kujton se ëndërra e Zotit “vijon të realizohet në ëndërrat e shumë çifteve, që kanë guximin ta kthejnë jetën në familje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.