2017-02-05 13:13:00

Carlo Casini: ta ndjekim Nënë Terezën në mbrojtjen e jetës


Sot, në Itali, u kremtua Dita e 39-të kombëtare kushtuar jetës. Për këtë kremtim, më 21 tetorin e kaluar, Këshilli i përhershëm i Konferencës ipeshkvnore italiane, përhapi një mesazh me temë: “Gra e burra për jetën, në gjurmët e Nënë Terezës së Kalkutës”.

Intervistuam, me këtë rast, politikanin italian, Carlo Casini, kryetar nderi i Lëvizjes për Jetën dhe mik i Nënë Terezës:

Përgjigje: - E shpallëm Nënë Terezën kryetare nderi të të gjitha lëvizjeve  botërore për jetën e Shën Gjon Pali II e deklaroi kryetaren tonë shpirtërore... Këto ditë u them të gjithëve se është shumë e rëndësishme të kujtojmë dy shprehje të Nënë Terezës, të përsëritura shumë e shumë herë. E para: "Po të pranojmë se një nënë mund ta mbytë frytin e barkut të vet, ç’na mbetet tjetër? Unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës". E dyta: “Të premtojmë që, në këtë qytet, asnjë grua nuk do të thotë se u detyrua të abortojë”. Tejet e fortë, fraza e parë, e edhe shumë e qartë: aborti, parë si e keqe e tmerrshme. Ndërsa e dyta, shprehje e dhembshurisë, e mirëpritjes, e dëshirës për ta mbushur botën me fëmijë e për t’i ndihmuar konkretisht gratë. Ky, sipas meje, është mesazhi kryesor i Nënë Terezës, kushtuar Ditës për jetën.

Pyetje: - Nënë Tereza është dëshmitarja, ndoshta më e madhe, e ndihmës dhe e mbështetjes së fëmijës, që përgatitet të dalë në dritën e jetës, si të donte të na kujtonte se kush dëshiron ta mbrojë jetën, prej këtu duhet të niset ta mbrojë. Gjithnjë...

Përgjigje: - Sigurisht! E jo vetëm duhet mbrojtur gjithnjë. Në të vërtetë ajo ishte grua me autoritet, kishte merituar Çmimin Nobel për Paqen, e  ftonin të fliste në Asamblenë e OKB-së; e pikërisht në OKB, sekretari i asokoshëm e pati quajtur “Gruaja më e pushtetshme e botës”,  sepse gruaja më e aftë për t’u qëndruar pranë të varfërve, të braktisurve, atyre që  bota i shikon si fundërrina. Bota i quante fundërrina - ajo - të përjashtuarit nga bota. E, në Ditën për Jetën, meriton të nënvizohet çka na kujtoi Nënë Tereza e vijon të na e kujtojë çdo ditë: na kujton se më i varfëri ndër njerëz është fëmija e palindur, sepse njeri krejtësisht lakuriq, që nuk ka gjë prej gjëje. E nëse i mungon edhe dashuria e nënës, është me të vërtetë më i varfëri ndër të varfër. E na la trashëgim edhe një frazë të tmerrshme: “Në Kalkutë shkoj të mbledh njerëz në grahma të vdekjes, të flakur mbi grumbuj plehrash. I marr e i kalojnë me mua çastet e fundme të jetës së tyre, duke provuar pakëz dashuri, ndërsa nuk ka asnjë ligj që pohon se është gjë e mirë t’i flakësh të moshuarit, të gërbulurit, të sëmurët mbi grumbujt e mbeturinave e të  rrish e t’i shikosh si u del shpirti”. E, përsa u përket fëmijëve të palindur, ka vende që e pranojnë fundin e tyre tragjik, ka ligje, madje ka edhe njerëz që paguhen për t’i mbytur! “Guri i parë i njerëzimit të ri  - ky është mendimi tjetër, që  më pëlqen të kujtoj nga Nënë Tereza, shprehur gjatë një fjalimi mbajtur në Firence më 1986 - është ai mbi mirëpritjen e fëmijëve ende të palindur".

Pyetje: - Cila është, sipas jush, pas dhjetra vitesh angazhimi në mbrojtje të jetës, urgjenca më e madhe sot, kur flisni për abortin në bisedat dhe  takimet tuaja për nënvizimin e bukurisë së jetës?  

Përgjigje: - Është urgjent meditimi për fillimin e jetës. Nënë Tereza thoshte se foshnja ende e palindur u krijua për punë të mëdha, për të dashur e për t’u dashur. Prej këndej, meditimi i thellë për fëmijën, për fillimin e jetës, është sot më i nevojshëm se kurrë. Por është e nevojshme edhe ta kumtosh jetën, ashtu si bënte Nënë Tereza. Sepse – siç shkruante Gjon Pali II – komploti kundër jetës, në nivel botëror vazhdon jo aq duke e mohuar jetën e zënë, sa duke duke u përpjekur të mos flitet për të. Ja pra, pse nuk duhet të lodhemi kurrë duke u përpjekur konkretisht për ta ndihmuar jetën, për t’i ndihmuar nënat, për t’i mikpritur, për të ndarë me to vështirësitë e për të kumtuar, pa e humbur kurrë guximin, se fëmija e zënë është një nga ne!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.