2017-02-04 17:31:00

Përshëndetja e Papës të sëmurëve: jam pranë jush, lutjuni Marisë


U botua sot Letra e Papës Françesku drejtuar sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin, emëruar legat papnor në kremtimet e Ditës XXV Botërore të të Sëmurit, në Lurdë të Francës, më 11 shkurtin e ardhshëm.

Papa, në Letrën shkruar latinisht, i përshëndet të sëmurët e mbarë botës, duke u shprehur nga zemra afërsinë e tij të gjithë atyre, që vuajnë. “Është gjë e mirë të kujdesesh në mënyrë të gjithanshme për njeriun - pohon -  domethënë të mos harrosh kurrë ‘shpirtin, mendjen, korpin’”. E më pas, duke cituar Librin e Urtisë, kujton se Zoti e krijoi gjithçka për jetën. Nuk e krijoi vdekjen, as të keqen e nuk kënaqet kurrë për rrënimin e të gjallëve.

Duke cituar edhe Librin e Siracidit, vëren se Zoti “u dhuroi njerëzve shkencën, që të mund të lumnojnë mrekullitë e Tij: njëkohësisht barinjtë, mjekët e edhe vetë të sëmurët, janë të thirrur t’i luten Zotit t’u prijë për ta lehtësuar sëmundjen e edhe për ta shëruar”.

Papa Françesku i fton të sëmurët ta kërkojnë vazhdimisht ndërmjetësimin e Virgjërës Mari “Shëndeti i të Sëmurëve”, që t’u nxjerrë nga Biri i Saj hyjnor, “hire të begata; posaçërisht durimin në trazira, besimin në Zotin, mirënjohjen për dhantitë e marra e një dashuri të madhe për të gjithë”. E këtë, duke imituar fenë e Pjetrit që, edhe kur nuk e kuptonte Jezusin,  thoshte: “Zot, e tek kush të shkojmë? Vetëm Ti ke fjalë jete së pasosur!” (Gjn 6.68).








All the contents on this site are copyrighted ©.