2017-02-02 16:03:00

Kardinali Parolin ndodhet në Republikën e Kongos


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndodhet në  Brazavil, kryeqytet i Republikës së Kongos, etapë e re e shtegtimit të tij në Afrikë. Për ta pritur kishte dalë kryeministri Clemente Mouamba. Sekretari i Shtetit të Vatikanit e viziton vendin afrikan me rastin e 40-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kongos, që do kulmojnë me nënshkrimin e një Marrëveshjeje bashkëpunimi. Hirësia e Tij do të kremtojë, në Bazilikën e Shën Anës, një Meshë falënderimi, në praninë e presidentit kongolez, Denis Sassou Nguesso dhe do të vizitojë disa jetimore dhe shtëpi pushimi të kryeqytetit.

Kardinali Parolin arriti në Kongo nga Madagaskari, ku mori pjesë në kremtimet me rastin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendit dhe Selisë së Shenjtë. Si etapë e fundit e kësaj vizite, sekretari i Shtetit vizitoi qendrën Akamasoa të atë Pedro Opeka-s në Andralanitra, lagje në rrethinat e Antananarivo, kryeqytet i Madagaskarit. Në këtë qendër strehohen rreth 25 mijë të varfër e nevojtarë, që gjejnë këtu mbështetje materiale e shpirtërore, ndihma ushqimore dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Ndërmjet këtyre të varfërve e të braktisurve janë rreth 12 mijë fëmijë e adoleshentë, të cilëve bashkëpunëtorët e Qendrës u japin, me shumë kujdes, edhe edukatën e krishterë.

Pritja, që i bënë të rinjtë kardinalit Parolin, ishte shumë festive. Të pranishëm, të gjithë ipeshkvijtë e vendit, përveç miqve e bamirësve. Fëmijët dhe të rinjtë shprehën, me këngë e valle, dashurinë dhe mirënjohjen ndaj Françeskut. Dy prej tyre, gjatë përshëndetjes së shkurtër të kardinalit, i drejtuan Papës ftesën për të vizituar Madagaskarin.








All the contents on this site are copyrighted ©.