2017-02-02 14:53:00

Braz de Aviz: të jetohen me shpresë vështirësitë e jetës rregulltare


Sot, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, kur Kisha kremton Ditën Botërore të Jetës së Kushtuar, Papa kremtoi, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Meshën me rregulltarët e rregulltaret. Mbi shqetësimin e Papës dhe situatën e sotme të thirrjeve për jetë të kushtuar, flet, në mikrofonin tonë, kardinali João Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare.

Bekimi i qirinjve, në këtë festë që ndër shqiptarë njihet si Zoja e Qirave, dhe procesioni, hapën ritin në Shën Pjetër. “Krishti - tha Papa para se t’i spërkaste qirinjtë me ujin e bekuar - “është drita e vërtetë e njerëzve”. Gjatë lutjes, besimtarët i kërkuan Zotit të ketë sa më shumë thirrje për jetën rregulltare. Ndërsa Françesku i ftoi të pranishmit të luten  për të gjithë ata, që kanë zgjedhur këshillat ungjillore, që të mund ta rrezatojnë në botë dritën e Krishtit me dëshminë e jetës së tyre. Për fat të keq, kjo është kohë krize, në të cilën  bie në sy pakësimi i thirrjeve, ndërsa shumë rregulltarë e rregulltare po braktisin jetën e kushtuar. Për këtë, të dëgjojmë kardinalin João Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare:

Papa ngulmoi shumë që të flitet për misterin e Paraqitjes së  Krishtit në Tempull, për figurën e Marisë dhe të Jozefit, që ia paraqesin Atit. Maria e ka të Birin ndër krahë, por është pikërisht Biri, Ai që i prin Nënës, është vullneti i Zotit, që i çon Marinë e Jozefin në Tempull. E po ai vullnet bën edhe që Simeoni e Ana ta presin aty: edhe Simeoni e merr në krahë, ndërsa është vetë Jezusi, që e mban Simeonin në krahë e Tij, që i prin drejt risisë së misterit. Përveç nevojës së takimit me Jezusin, Papa foli shumë edhe për nevojën që rregulltari të dijë të takohet me Zotin, duke u bërë i vogël, ashtu si u bë vetë Jezusi: si Biri i Zotit bëhet njeri, për ta gjetur njeriun, ashtu edhe burri e gruaja duhet të bëhen të vegjël për dashuri, për të mundur ta takojnë Zotin e të afërmin. Atëherë, në këtë Ditë  botërore të jetës rregulltare, mund të mësojmë nga Maria, nga Jozefi, nga Simeoni, nga Ana e, mbi të gjitha, nga vetë Jezusi i paraqitur në Tempull e mund ta marrim këtë risi të Zotit e t’ua dorëzojmë edhe të tjerëve, si trashëgim, që ne e ruajtëm për ta.

Sivjet kjo Ditë jetohet në perspektivën e Sinodit të Ipeshkvijve  kushtuar temës të të rinjve dhe të shqyrtimit  të thirrjeve për jetë rregulltare e meshtarake... si mendohet se mund të ndryshojë prirja, që po çon në pakësimin e thirrjeve?

Duhet t’i shërbejmë Zotit në vitet e begatisë e në ato, kur lopët janë të  thata e kullotat tona, të zbrazta. Duhet të mësojmë t’i jetojmë  besnikërisht edhe vështirësitë tona, kur ndoshta Zoti nuk duket në begati. Por me urti e dashuri duhet t’i kërkojmë edhe shkaqet e këtij fenomeni. E ne po i kërkojmë. Kohët e fundit u zhvillua mbledhja plenare e Dikasterit, me kardinajtë e ipeshkvijtë e mbarë botës. Jemi rreth pesëdhjetë... Punuam dy ditë  - në të parën edhe në praninë e Atit të Shenjtë - ishim tek Ai e na foli për trajtimin e temës së besnikërisë e për të gjetur shkaqet e vështirësive, që rëndojnë sot mbi jetën rregulltare. Për besnikërinë e edhe për braktisjen e jetës rregulltare. Në të vërtetë thirrjet jo vetëm janë pakësuar - posaçërisht në Evropë, ndërsa në kontinentet e tjera janë shumë të begata - por jemi edhe para fenomenit të braktisjes. Ndodh që pas 10 a 15 vjetësh, rregulltari e lë rrugën e zgjedhur e thotë: “Po shkoj gjetiu, sepse këtu nuk jam i lum”. Duhet ta kuptojmë më mirë këtë fenomen. E duhet ta jetojmë këtë çast me shpresë e qetësi e, doemos, edhe me angazhim.








All the contents on this site are copyrighted ©.