2017-02-01 18:38:00

U kushtohet fëmijëve Dita III e lutjes kundër trafikut të njerëzve


Çdo dy minuta një vogëloshe a një vogëlosh shndërrohet në viktimë të shfrytëzimit seksual. Është një nga shifrat e një fenomeni të shëmtuar, atij të trafikut të qenieve njerëzore, i cili në 30 vjetët e fundit ka përfshirë  rreth 30 milionë të mitur. Numra këto, në rritje, me një xhiro fitimesh të paligjshme prej 150 miliard dollarësh në vit. Ja pse Françesku e quan  trafikun “skllavëria më e përhapur” e shekullit XXI. Pikërisht me dëshirën e Papës, duke nisur nga viti 2015, kremtohet çdo vit Dita e lutjes dhe e reflektimit kundër tregtisë së njerëzve, në përkujtimin liturgjik të Shën Jozefina Bakhitës, që i provoi personalisht vuajtjet e skllavërisë. Ditën e organizon Rrjeti Ndërkombëtar i jetës rregulltare kundër trafikut të njerëzve, i quajtur “Talitha Kum”, në bashkëpunim me realitete të ndryshme të botës së Kishës dhe të shoqërisë civile.

Ngjarjet e shumta, që do të arrijnë kulmin me nismën e 8 shkurtit, mund të njihen nga afër përmes kanalit të internetit www.preghieracontrotratta.org, duke nisur nga mbrëmësorja e lutjes kundër trafikut, të shtunën e ardhshme, në Romë, tek ditët e studimit dhe të manifestimit në Filipine, Nigeri, Australi. Një botë e tërë do të dëgjojë historitë rrënqethëse të fëmijëve të njomë, të shpërdoruar, për të cilët rregulltarët e instituteve të ndryshme, kanë krijuar strehë, që t’i shpëtojnë nga skllavëria më e turpshme e më kriminale e tregut, ku shiten e blihen njerëzit, si të ishin kafshë, që hiqen zvarrë tek kasapi. Atyre u kushtohet edhe libri “Faqe jete”, përmbledhje tregimesh, që nisen nga realitete çnjerëzore, pornografike e  seksuale, për t’u mbyllur, pastaj, me një fund njerëzor, në të cilin Kisha luan rol të dorës parë. Duke nisur nga strehimi në qendrat e mikpritjes, të vijuar me një proces jo të lehtë edukimi dhe integrimi, për ta rindërtuar jetën e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.