2017-02-01 14:58:00

Imzot Becciu: shqetësim për politikën e SHBA-së për emigrantët


“Shqetësohemi, sepse ne jemi lajmëtarë të një kulture tjetër”: këto janë fjalët e Zëvendësit për punët e përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, imzot Angelo Becciu, i cili komentoi politikën e emigracionit të presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Së bashku me presidentin italian, Sergio Mattarella, imzot Becciu mori pjesë në përurimin e vitit akademik të Universitetit Katolik të Romës.

         “Universiteti Katolik është vend i privilegjuar për dialogun e Ungjillit me kulturën dhe shkencën”, nënvizoi imzot Becciu në homelinë e meshës së përurimit. Pikërisht, duke pasur parasysh këtë veçori, tipike për krejt reflektimin e Kishës mbi shoqërinë, Zëvendësi për punët e përgjithshme mbajti qëndrim ndaj politikës së presidentit Trump:

         “Sigurisht, shqetësohemi! Ne jemi lajmëtarë të një kulture tjetër, asaj të horizonteve të hapura. Megjithatë, Papa ngul këmbë edhe mbi aftësinë e integrimit të atyre, që vijnë në shoqëritë tona e hyjnë në kulturën tonë. Jemi ndërtues urash, e jo aq muresh! Të gjithë të krishterët duhet ta pohojnë me forcë këtë mesazh”.

         Takimi ndërmjet kulturave është veçori, së cilës i kushtohet shumë vëmendje në Universitetin Katolik, ku kanë studiuar për mjekësi edhe shumë shqiptarë. Në qendër të politikave të mësimdhënies është njeriu, si student e si pacient, pasi ateneu ka edhe Poliklinikën e vet të mirënjohur, që mban emrin e atë Agostino Gemelli-it, themeluesit dhe rektorit të parë të selisë milaneze. Koncepte këto, të theksuara nga presidenti italian Mattarella dhe nga rektori aktual i ateneut, Franco Anelli, i cili kujtoi se ndër viktimat e ortekut të Hotelit Rigopiano në qendër të Italisë, ishte edhe një infermiere. Me emrin e saj, Valentina Ciccioni, do të quhet një bursë trivjeçare për Kursin universitar në degën e Infermierisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.