2017-01-30 17:59:00

Shqipëria dhe martirët – veprimtari në qytetin e Barit


Në qytetin e Barit, në Kishën e Shn'a Ndout, u zhvillua një konferencë me pjesëmarrje të gjerë, kushtuar Shqipërisë dhe martirëve të saj, ku u paraqit vepra madhore në dy vëllime “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë” e Atë Leonardo di Pinto.

Nga Shqipëria merrte pjesë Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ndërsa nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, ishte ftuar i ngrakuari me punë, Visar Zhiti.

Sheshi dhe mjedisi përreth ishin mbushur me manifestet, që lajmëronin veprimtarinë. Në altarin e kishës së  Shn'a Ndout ishte vendosur fugurja e madhe me portretet e 38 martirëve dhe me Zojën e Këshillit të Mirë, Pajtoren e shqiptarëve.

Konferencën, moderuar nga famullitari Fra Vito Dipinto OFM, e përshëndeti Fra Alessandro Mastromatteo OFM, ministër provincial, ku ndër të tjera vlerësoi rëndësinë dhe mesazhet e këtij takimi për çdo popull.

Profesor Giuseppe Micunco, drejtor i Zyrës Laike të Dioqezës së Barit, bëri një pasqyrë të historisë së Shqipërisë, që nga pushtimi otoman dhe u ndal në periudhën e diktaturës pas Luftës II Botërore, parë në kontekstin e marrëdhënieve brenda perandorisë komuniste. Popull i vogël – histori e madhe.

Visar Zhiti, mbajti referatin “Kam njohur martirë në burg dhe Shpirtin e Shenjtë”, ku shpalosi vlerat humane të qendresës së shqiptarëve ndaj së keqes, kulturën dhe identitetin si dhe arritjet në letërsi të klerikëve katolikë dhe jo vetëm, ringjalljen e Kishës shqiptare dhe ëndrrën europiane sot të një Shqipërie të lirë e demokratike.

Fra Gianni Colifano OFM, postulatori i përgjithshëm i çështjes së shenjtërimeve dhe i procesit të lumturimit dhe i punës së Atë Leonardo di Pinto-s, foli për përkushtimin vetmohues të Atë Leonardos, fratit françeskan puliez, nga Bari, përballë Shqipërisë. Vepra e tij madhore me mbi 1000 faqe, “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, tashmë e botuar në dy gjuhë, shqip dhe italisht, por që autori nuk e pa dot, se shkoi para kohe në Qiell, pikërisht kjo vepër bëri njohjen e 38 martirëve dhe që Papa Françesku firmosi lumturimin.

Imzot Angelo Massafra mbylli konferencën duke falenderuar pjesëmarrësit dhe dhe relatorët, duke hedhur dritë dhe më mbi personalitetin e Atë Leonardo Di Pintos. Në fund ai tha proverbialisht se “kush nuk beson në ringjalljen e Krishtit, le të vijë në Shqipërinë e ringjallur.” Artistë vendas dhanë një koncert me muzikë kishtare.

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.