2017-01-29 12:30:00

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: lumnitë, program jete


Papa tha sot Lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ungjilli i sotëm, që flet për Lumnitë e është portali i hyrjes në “Fjalimin e Jezusit mbi Mal”, i dha mundësinë Atit të Shenjtë t’u flasë pikërisht për këtë program të madh e të mrekullueshëm jete rreth 3 mijë të rinjve e fëmijëve të Veprimit Katolik të Romës, që ndodheshin poshtë dritares së Pallatit Apostolik, nga ku Françesku duket çdo të dielë.

Biri i Zotit u flet dishepujve të vet, atyre që i pati zgjedhur për ta ndjekur e u paraqitet si Moisiu i ri, që i mëson popullit një Ligj, i cili nuk e mohon të vjetrin, por e çon atë drejt plotësimit. Duke shpallur se janë të lum të varfërit, të vegjlit, të butët, të pastërtit në shpirt, Jezusi realizon atë, që patën shpallur profetët e Besëlidhjes së Vjetër, si Sofonia i Leximit të parë të sotëm: Zoti do të krijojë një popull të përvuajtur e të varfër, të aftë t’ia besojë jetën vetëm Hyjit.

         Kuptimi i tekstit, ashtu siç e ka shpjeguar Papa jo vetëm sot, por edhe në raste të tjera, nuk është urdhër, nuk thotë “duhet të jeni të varfër, të butë, të pastër në shpirt, etj.”, por është zbulesë: “Mund të jeni edhe kështu”, nënvizon Ungjilli, sepse pikërisht kështu i pëlqeni Hyjit. E kjo shpjegohet mirë në pjesën e dytë të Ungjillit të sotëm: sepse e juaja është Mbretëria e Qiellit, sepse do të ngushëlloheni, sepse pasuria juaj është vetë Zoti, trashëgimia juaj është dashuria e Tij, falja dhe mëshira e Tij, që e bën çdo besimtar të gatshëm për ta ndjekur Krishtin e Ringjallur. Edhe Leximi i dytë, vuri në dukje Ati i Shenjtë, megjithëse duket sikur nuk lidhet me leximet e tjera, tregon se kjo është logjika e Zotit: Ai i Lumi zgjedh të vegjlit për t’ua zbuluar atyre lavdinë e vet.

         E pikërisht dy të vegjël, dy anëtarë të Veprimit Katolik, pjesëmarrës të nismës tradicionale të Karvanit të Paqes, që zhvillohet vit për vit, dolën sot në dritare së bashku me Papën për të përshëndetur bashkëmoshatarët në shesh, të cilëve u kërkohet të vënë në jetë programin e lumnive, mësuar nga Krishti. Atyre dhe fëmijëve të të gjithë botës, ata u drejtuan mesazhin e tyre të paqes. Si çdo vit, shkollarët e Veprimit Katolik të Romës, së bashku me prindërit dhe edukatorët e tyre u mblodhën që në orën 7.30 në Sheshin e Kishës së Re. Pas meshës në Shën Maria në Vallicella, pjesëmarrësit e Karvanit të Paqes u vunë për udhë drejt Shën Pjetrit, për Lutjen e Engjëllit të Tënzot.








All the contents on this site are copyrighted ©.