2017-01-26 13:29:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: kthimi i zemrës kah Zoti


Të dashur dëgjues, jo më larg se dje kremtuam festën e Kthimit të Shën Palit Apostull, gjatë së cilës, me mbrëmësoret e dyta në Bazilikën kushtuar shenjtit jashtë mureve të Romës, Papa Françesku mbylli Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Tema e saj “Dashuria e Krishtit na shtyn drejt pajtimit”, na bën të mendojmë se nëse nuk e ndjekim me gjithë shpirt Zotin tonë, nuk jemi në gjendje të pajtohemi me njëri-tjetrin, por siç nënvizoi Ati i Shenjtë, presim gjithnjë që ai tjetri të bëjë hapin e parë. Ndjekja e Zotit presupozon shndërrimin, kthimin e zemrës kah Ai i Lumi. Por ç’do të thotë “kthimi i zemrës kah Zoti”? Këtë do të shpjegojmë sot.

Thirrja e parë e shën Gjon Pagëzuesit dhe ajo e Jezu Krishtit janë të njëjta: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” (Mt 3,2; 4,17). Fjala greke, që përdoret nga ungjilltari është “metanoéin”, nga e cila rrjedh fjala “metànoia”, apo “kthim”. Domethënia e saj është “ndryshimi i mendjes”, shndërrimi i mentalitetit, për hir të të cilit njeriu orientohet nga e mira dhe e lë pas të keqen, kalon nga gënjeshtra në të vërtetën, nga padrejtësia në dashuri. Tema e kthimit është tipike për moralin e çdo feje dhe shënon kalimin nga gjendja e mëkatit në atë të pastrimit të ndërgjegjes e të jetës.

Besëlidhja e Vjetër e përkufizon këtë akt me një folje, të themi, hapësinore: “shûh”, “të kthehesh” në rrugën e drejtë, të braktisësh pistën e gabuar për të gjetur atë që të çon në oazën, në qytetin e jetës. Mëkati, nga ana tjetër, shprehej në leksikun biblik me fjalë hebraike, që tregonin një devijim, ose një mosarritje të rezultatit. Në kapitullin 15 të Ungjillit sipas Lukës, shembëlltyra e djalit plangprishës është gati skenari i “kthimit”: jo më kot, mëkati i atij djali mishërohet në largimin nga shtëpia atnore, ndërsa kthimi i zemrës në kthimin në shtëpinë e braktisur prej tij. Në rrugë e pret i ati, i gatshëm ta falë.

Kthimi i zemrës pra, nuk është vetëm pendesë. Duhet hequr dorë nga mëkati, nga e keqja: “Le ta lerë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë, që është bujar në falje” (Is 55,7). Kjo pjesë marrë nga Libri i Isaisë vë mirë në dukje si kërkesën për ndryshim radikal të jetës, ashtu edhe gëzimin e takimit me Zotin. Kthimi i zemrës pra, është impenjim serioz dhe i rreptë: “Nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata”, si viktimat e masakrës së Poncit Pilat, ose të shembjes së kullës së Siloesë, paralajmëron Jezusi në Ungjillin sipas Lukës (13,1-5). Fillimi i jetës së re jepet nga “kthimi te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd” (Lp 30,10).

Edhe Shën Pjetri Apostull, pasi e tradhëtoi Jezusin, u pendua e qau i dëshpëruar, por Krishti e çon, me anë të kthimit të zemrës, në rrugën e misionit të ri “Ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu” (Lk 22,32). E vërtet, njëra nga bazat e shpalljes së Lajmit të Mirë nga ana e apostujve është pikërisht “të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jeruzalemit, kthimi dhe falja e mëkateve” (Lk 24,47). Këtu dy gjëra ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën: nga njëra anë, kemi lirinë njerëzore për të zgjedhur rrugën e largimit nga e keqja; nga ana tjetër, kemi hirin hyjnor që ofron faljen, “duke hedhur pas shpine mëkatin” e njeriut, siç thotë bukur Bibla.

Thirrja që duhet ta ketë gjithnjë parasysh bashkësia e krishterë është ajo që thotë Shën Pali apostull, me cilësinë e administruesit të “misterit të pajtimit”, në emër të Hyjit: “Ju përbejmë në emër të Krishtit: pajtohuni me Hyjin!” (2 Kor 5,18.20). Dhurata e faljes paraprihet nga vendimi i njeriut për t’u pajtuar me Zotin e ky akt është “kthimi i zemrës”. I hapet kështu rruga hirit hyjnor që vepron përmes Kishës, e cila ka marrë nga Krishti misionin “për të lidhur e për të zgjidhur” mbi tokë. Vetëm në këtë mënyrë pra, lind “krijesa e re: e vjetra u zhduk dhe ja, u bë e reja” (2 Kor 5,17).








All the contents on this site are copyrighted ©.