2017-01-26 14:27:00

Ipeshkvijtë e SHBA-ve: muri në kufi me Meksikën sjell shfrytëzim e vuajtje


Duhen ndërtuar ura e jo mure. Kështu i përgjigjet Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve vendimit të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, për të plotësuar ndërtimin e murit të kufirit ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës, nisur gjatë presidencës së Klintonit, në vitin 1994. Në një deklaratë, kryetari i Komisionit për emigrantët, imzot Joe Vasquez, kritikon rëndë këtë orientim dhe nënvizon se Kisha do të bëjë ç’është e mundur për t’u qëndruar pranë emigrantëve dhe familjeve të tyre.

         Sipas ipeshkvijve, ndërtimi i murit do të vërë në rrezik jetën e emigrantëve e sidomos gratë e fëmijët do të bien gjithnjë e më shumë, viktima të trafikut e të kontrabandës. Gjithashtu, nënvizon imzot Vasquez, ngritja e kësaj barriere do të shqetësojë jetën e bashkësive, që jetojnë përgjatë kufirit.

Nuk ka siguri me shtimin e burgimeve

         Përgjegjësi i ipeshkvijve amerikanë për emigrantët denoncon edhe politikën e burgosjes dhe të dëbimit të emigrantëve, një nga premtimet zgjedhore të Donald Trump. Nuk është kjo mënyra për t’u garantuar sigurinë amerikanëve, nënvizon imzot Vasquez. Kjo politikë s’do të bëjë tjetër, përveçse do të shtojë frikën e panikun. Çdo ditë, thekson ipeshkvi i Austin, e prekim me dorë dhimbjen e familjeve, të cilat luftojnë për një jetë, që i ngjan sadopak jetës normale familjare. Shohim fëmijë të traumatizuar, që me politikat e presidentit të ri, veçse do të shtohen.








All the contents on this site are copyrighted ©.