2017-01-25 16:30:00

Papa: të mos presim ta bëjnë të tjerët hapin drejt bashkimit


Papa Françesku kryesoi sot pasdite, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, mbrëmësoret e dyta të Festës së Kthimit të Shën Palit, në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Lutje, që u ndje edhe më shumë, për shkak të shoqërimit me himnet e kënduara nga Kapela Muzikore Papnore “Sikstine” dhe nga Kori anglikan i Abacisë së Uestminsterit, që edhe paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, e përshëndeti Atin e Shenjtë me disa pjesë muzikore.

Gatë Mbrëmësores, të pranishmit u lutën të shërohen plagët, për shkak të të cilave dishepujt e Krishtit janë akoma të ndarë. Gjithashtu, iu përgjëruan Hyjit t’i ndihmojë e t’i mbështesë të krishterët, viktima të persekutimeve.

Kthimi kah Zoti e bën Shën Palin ambasador të pajtimit

 Papa Françesku u nis pikërisht nga kthimi i Shën Palit në rrugën e Zotit, që pasi mbeti i mhanitur nga Hyji në udhën e Damaskut, ndryshoi krejtësisht jetë e nga persekutues i të krishterëve u bë ambasador i pajtimit. Pikërisht nga Letra e tij e dytë drejtuar Korintianëve është marrë tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve: “Dashuria e Krishtit na shtyn drejt pajtimit”.

Është fjala për dashurinë e Krishtit për ne, shpjegoi Ati i Shenjtë. Edhe pajtimi nuk është thjesht inciativë e jona: është pajtimi që Zoti na ofron në Krishtin, është dhuratë falas e Zotit.

Por si mund ta kumtojmë këtë Ungjill pajtimi sot, pas shekujsh ndarjeje, pyeti Papa? Duhen sakrifica, theksoi. Ashtu si Jezusi dha jetën për të gjithë, ashtu edhe “ambasadorët e pajtimit janë të thirrur, në emër të Tij, të japin jetën, të mos jetojnë më për vetveten, por për Atë, që vdiq e u ngjall për ta. Siç na mëson Jezusi, vetëm kur e humbim jetën për dashurinë e Tij, atëherë e fitojmë me të vërtetë”.

Të krishterët ta njohin më mirë njëri-tjetrin

Për Kishën, për çdo besojmë të krishterë, vërejti Papa, kjo është ftesë për të mos u bazuar në programe, në llogari e në leverdi, për të mos u besuar mundësive dhe modës së çastit, por për ta kërkuar udhën me vështrimin e ngulur mbi Kryqin e Krishtit: “aty është programi ynë i jetës”. Është ftesë për të dalë nga izolimi, për të kapërcyer tundimin e autoreferimit, që i pengon të krishterët të shohin ç’ndodh e si vepron Shpirti Shenjt jashtë hapësirave të tyre.

 “Pajtimi i vërtetë ndërmjet të krishterëve – theksoi Papa – do të realizohet kur do të dimë t’i njohim dhuratat e njëri-tjetrit e do të jemi të aftë, me përvuajtëri e butësi, të mësojmë nga njëri-tjetri, pa pritur që të jenë të tjerët të parët, që mësojnë nga ne”.

Nuk duhet të fiksohemi në të kaluarën

Nuk duhet të fiksohemi në gjërat e së kaluarës, në ndarjet e saj, vijoi më tej Ati i Shenjtë, megjithëse e kaluara është e rëndësishme për të ecur përpara me forcën, që na jep kujtesa e të mirave dhuruar prej Zotit. Por duhet t’i lejojmë Hyjit t’i bëjë të reja të gjitha sendet, “të na orientojë drejt një ardhmërie të re, të hapur ndaj shpresës që nuk zhgënjen, një ardhmëri, në të cilën ndarjet të kapërcehen e besimtarët, të risuar në dashuri, të jenë të bashkuar plotësisht e dukshëm”.

Të lutemi, të kumtojmë, të duam e të shërbejmë së bashku

Së fundi, para se të përshëndeste të pranishmit, ndër të cilët edhe kryepeshkopi mitropolit ortodoks i Italisë dhe i Maltës, Gennadios Zervos, si përfaqësues i Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, si edhe përfaqësuesi i kryeipeshkvit të Kanterburit pranë Selisë së Shenjtë e drejtori i Qendrës Anglikane të Romës, David Moxon, e pasi lavdëroi punën e Komisionit të përbashkët për dialogun teologjik me ortodoksët, Papa Françesku kujtoi 500-vjetorin e Reformës protestante, kremtuar këtë vit së bashku.

“Duke pritur me durim e besim që Ati Qiellor t’u japë të gjithë besimtarëve dhuratën e bashkimit të plotë e të dukshëm – përfundoi Papa – të ecim përpara në udhën tonë të pajtimit e të dialogut, të inkurajuar nga dëshmia herorike e shumë vëllezërve dhe motrave, që vuajnë së bashku, dje e sot, për emrin e Jezu Krishtit. Të përfitojmë nga çdo rast, që na ofron Provania Hyjnore, për t’u lutur së bashku, për të kumtuar së bashku, për të dashur e për të shërbyer së bashku, sidomos më të varfërit e më të braktisurit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.