Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: gratë janë më guximtare se burrat

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - AFP

25/01/2017 14:34

Nuk mund t’i mësojmë Zotit ç’duhet të bëjë, por, pa u dorëzuar, duhet t’i besojmë Atij, që di të nxjerrë jetën edhe nga vdekja. Kjo ishte ftesa e Papës në katekizmin e audiencës së përgjithshme kushtuar shpresës së krishterë. Ashtu si të mërkurën e kaluar, Ati i Shenjtë iu referua një personazhi biblik: Juditës, gruas guximtare.

Judita është grua me fe, grua që na tregon si përshkohet udha e besimit në Zotin. Papa përmendi historinë e kësaj gruaje shumë të bukur, që çliron popullin e vet nga rrethimi i ushtrisë së mbretit Nabukodonosor, i cili mbretëronte në Ninive e donte t’i zgjeronte kufijtë deri në Tokën e premtuar. Nën udhëheqjen e gjeneralit Olofern, ushtria kishte rrethuar qytetin e Betulies, duke ia prerë furnizimin me ujë.

Tundimi për të mos pasur besim në Zotin

Gjendja është kaq dramatike, sa banorët duan të dorëzohen, janë të dëshpëruar, ashtu siç na ndodh edhe neve shpesh, vërejti Papa Françesku:

“Aftësia për ta lëshuar veten në duart e Zotit merr fund. Sa herë arrijmë në gjendje të skajshme, kur nuk ndjejmë më as aftësinë për të pasur besim në Zotin. Është tundim i keq, eh! E paradoksalisht, duket sikur, për t’i ikur vdekjes, nuk mbetet tjetër, veçse dorëzimi në duart e vrasësit”.

Judita: gratë janë më guximtare se burrat

Atëherë, shkruhet më tej në Bibël, kreu i popullit përpiqet të propozojë një shteg shprese, duke u kërkuar banorëve të rezistojnë edhe për pesë ditë e të presin ndërhyrjen e Zotit. “Zotit i jepen pesë ditë për të ndërhyrë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke theksuar se këtu qëndron mëkati i banorëve. Prandaj hyn në skenë Judita, e cila e qorton popullin, duke e ftuar të presë shpëtimin e Hyjit, që ka pushtet, thotë gruaja, “për të na mbrojtur në ditët që do vetë, ose na lë të na shkatërrojnë armiqtë”. Papa vërejti se kjo grua e dinte mirë se shpëtimi ishte çlirimi nga armiqtë, por e kuptonte se në planet e pashqyrtueshme të Zotit, shpëtimi mund të vinte edhe përmes vdekjes. E Françesku lavdëroi guximin e Juditës e të grave në përgjithësi:

“Është gjuha e shpresës. Trokasim në portën e zemrës së Zotit, Ai është Ati, Ai mund të na shpëtojë. Kjo grua, vejushë, rrezikon të bëjë figurë të keqe në sytë e të tjerëve! Por është guximtare! Shkon përpara! Kjo… mendimi im ky: gratë janë më guximtare se burrat”.

Mos i vini kushte Zotit

Në fund të fundit, Zoti e shpëton popullin. Judita ka një plan të vetin, arrin t’ia presë kokën gjeneralit Olofern e kështu, e çon popullin drejt fitores, por gjithnjë me fenë e njeriut, që pranon gjithçka prej Hyjit. E Papa kërkoi të mos i vemë kushte Zotit:

“T’i besojmë Zotit do të thotë të hyjmë në planet e Tij pa pretenduar asgjë, duke pranuar se shpëtimi e ndihma e Tij na arrijnë edhe në rrugë të tjera, ndryshe nga sa e kishim menduar. Ne i kërkojmë Zotit jetën, shëndetin, dashurinë, lumturinë dhe është e drejtë kjo, por duhet të jemi të vetëdijshëm se Hyji di të nxjerrë jetën edhe nga vdekja, se mund të ndjehemi në paqe edhe në sëmundje, se mund të jemi të qetë shpirtërisht edhe në vetmi e të lum në vaj”.

Të mos dorëzohemi, por të kemi guxim

Nuk jemi ne ata, që e mësojnë Zotin ç’duhet të bëjë e për çfarë kemi nevojë, vijoi Papa. Ai i Lumi e di më mirë se ne. Duhet t’ia besojmë vetveten, duke pranuar se rrugët e mendimet e Tij janë ndryshe nga tonat. E Judita na e dëshmon këtë udhë shprese. U lut shumë, vërejti Ati i Shenjtë, dhe tregoi guxim në fe e në vepra. Pra, të mos dorëzohemi lehtë, por të ndjekim vullnetin e Zotit. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi fjalët e urta të grave të përvuajtura, të gjysheve, që kanë përvojë jete, që kanë vuajtur, por e kanë lënë veten në dorën e Zotit:

“E ne, nëse kujtohemi pak sa herë kemi dëgjuar fjalë të urta, të guximshme, nga njerëz të përvuajtur, nga gra të përvuajtura, për të cilat kemi menduar – pa përbuzje, natyrisht – se janë injorante… Po ato janë fjalët e urtisë së Zotit, eh! Fjalët e gjysheve… Sa herë gjyshet dinë të thonë fjalën e duhur, fjalën e shpresës, sepse kanë përvojë në jetë, kanë vuajtur shumë, kanë besim në Zotin e Hyji u jep dhuratën e këshillës, për t’u dhënë shpresë të tjerëve”.

25/01/2017 14:34