2017-01-24 16:30:00

Siria drejt armëpushimit të ri. Delegacioni i Selisë së Shenjtë në Haleb


Dita e dytë e bisedimeve për krizën siriane në Astana të Kazakistanit, ndërsa në terren vijojnë ndeshjet. Rusia, Turqia dhe Irani arritën një marrëveshje për mënyrën e kontrollit të armëpushimit, përmes një komisioni tripalësh.

Ndërkaq, në Haleb kthehet delegacioni i Selisë së Shenjtë, dërguar nga Papa Françesku. Sekretari delegat i Dikasterit për Zhvillimin Njerëzor të Gjithanshëm, imzot Giampietro Dal Toso, së bashku me kardinalin Mario Zenari, nunc apostolik në Damask dhe me këshilltarin e nunciaturës, imzot Thomas Habib, takuan bashkësitë e krishtera, vizituan institucione katolike bamirëse dhe disa kampe refugjatësh. Gjithashtu, hapën një qendër humanitare të Karitasit në lagjen Hanano, verifikuan kushtet e disa spitaleve për rindërtimin e tyre të mundshëm, si edhe panë nevojat e popullsisë, që nga ushqimi tek veshja e tek projektet për edukim, asistencë shëndetësore dhe strehim. Gjatë vizitës, nga 18 deri më 23 janar, delegacioni mori pjesë në një kremtim ekumenik dhe u takua me përfaqësuesit e Islamit.

Marrëveshja e Astanasë, nëse arrihet (për momentin opozita siriane nuk pranon) do të përpiqet t’i japë fund 6 vjetëve të luftës në Siri, që shkaktuan më se 300 mijë të vdekur, 6 milion të shpërngulur brenda vendit e 4 milion refugjatë në vendet fqinjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.