2017-01-24 17:48:00

Papa Françesku mediave: po logjikës së lajmit të mirë, jo spektakëlit të lajmit të keq


U botua sot mesazhi i Papës Françesku për Ditën 51 Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që kremtohet të dielën e 28 majit. Papa i nxit mediat të jenë një fanar që ndriçon çdo realitet të mirë që ekziston në botën e sotme, në çdo histori e në çdo njeri. Madje edhe në situatat më dramatike, edhe në errësirë, duhen hapur shtigjet e besimit e të shpresës.

Pra, të këputet spiralja e lajmeve negative, duke i dhënë hapësirë e rëndësi logjikës së lajmit të mirë. Ky këshilli që Papa Françesku u drejton komunikatorëve të mediave në Mesazhin e Ditës së 51 botërore të Komunikimeve Shoqërore, të cilin e përqendron mbi temën “ Të komunikosh shpresë dhe besim në kohën tone”.   Dokumenti i Papës, shpallur sot, i nxit komunikatorët e krishterë të jenë “kanale të gjalla” të Ungjillit - “Lajmit të Mirë”, që ndriçon edhe situatat më dramatike e të errëta të historisë,

Papa Françesku, në Mesazhin e tij për  Ditën 51 botërore të Komunikimeve Shoqërore, porosit komunikatorët e mediat të favorizojnë “komunikimin ndërtimtar”, do të thotë komunikimin pozitiv, që refuzon “paragjykimet ndaj tjetrit” dhe “favorizon kulturën e takimit, në saje të cilit mund të mësojmë ta shikojmë realitetin me një vetëdije plot besim”. Papa Bergoglio inkurajon të gjithë komunikatorët t’i këpusin “lidhjen e ankthshme” që përqendrohen e fiksohen mbi “lajmet e këqija”, e të zgjedhin logjikën e “lajmit të mirë”. Çdo ditë, lexohet në Mesazhin për Ditën 51 Botërore të Komunikimeve Shoqërore, “konsumohen” kaq shumë informacione. Prandaj u takon komunikatorëve “t’u ofrojnë një bukë të mirë atyre që ushqehen prej fryteve të komunikimit të tyre”.

Në mesazhin e shpërndarë sot nga Salla e Shtypit të Vatikanit, drejtuar operatorëve të komunikimit me rastin e Ditës botërore të mediave, që do të kremtohet në festën e Shëlbumit, Papa  u kërkon mediave dhe operatorëve të behen përçues të lajmit të mirë, ndërtues të afrimit e të takimit me tjetrin.

Shpesh jemi si të hutuar e të trishtuar nga lajmet e këqija, kronika e zezë, luftëra, skandale etj. E Papa kërkon që t’i lihet vend edhe lajmit të mirë.

“Mbetet fakti – thotë Papa Bergoglio – që, në një sistem komunikativ global, ku vlen logjika se një lajm i mirë nuk përbën inters e atëherë as nuk është lajm dhe ku drama e dhimbjes dhe misteri i të keqes kthehen lehtësisht në spektakël, mund të jemi të tunduar të përgjumim ndëgjegjen tonë apo të biem në dëshpërim.”

Prandaj me mesazhin për mediat, Ati i Shenjtë dëshiron të ofrojë një kontribut “...për kërkimin e një stili komunkiues të hapur dhe krijues të mediave, që të mos jenë kurrë të gatshëm t’i lejojnë së keqes një rol protagonist, por të kërkojnë të nxjerrin në dritë zgjidhjet e mundshme, duke i dhënë frymë një qasje propozuese dhe të përgjegjshme tek personat të cilëve u komunikohet lajmi.”

Papa Françesku niset nga lajmi i mirë për ne të krishterët që është personi i Jezu Krishtit. Ky është një lajm i mirë jo se nuk ka brenda vuatjen, por “...sepse edhe vuajtja është e përjetuar në një dritë e kuadër më të gjërë, pjesë përbërëse e dashurisë së tij për Atin dhe për njerëzimin”.

Edhe pse bota përjeton skenare dramtike, shpresa që vjen nga Ungjilli – Lajmi Mirë, nga besimi në Zotin na thotë se fara e Mbretërisë së Zotit është hedhur tashmë në botë dhe se ajo farë edhe pse është bashkë me egjrën, rritet çdo ditë edhe pse ndoshta larg syve të botës dhe në heshtje. “Mbretëria e Hyjit është tashmë në mesin tonë, - vazhdon Françesku - si një farë e fshehur nga shikimi sipërfaqësor dhe rritja e së cilës ndodh në heshtje. Kush ka sy, që janë të pastruar nga Shpirti i Shenjtë, arrin ta shohë duke mbirë dhe nuk lejon që t’i rrëmbehet gëzimi i Mbretërisë për shkak të egjrës që është gjithnjë e pranishme.”

Është e mudnur edhe sot nën dritën e besimit, në dritën e Pashkës së Krishtit të Gjallë që lajmi i mirë “të dallohet dhe të ndriçon ... i pranishëm në realitetin e çdo historie dhe në fytyrën e çdo personi”.

Lajmi i keq dhe tronditës në fakt na është bërë pjesë e përditshmërisë tonë dhe duhet patjetër një antikorp, sepse gati-gati po përgjumin ndërgjegjen tonë dhe po bëhemi apatikë, të paaftë për të reaguar ndaj të keqes duke menduar se asaj nuk mund t’i vëmë një cak. Por e keqja e ka një cak, e ka një fund dhe e mira e bukura është më e madhe dhe më e fortë se e keqja. Këtu kapet dhe zhvillohet edhe shpresa jonë. “Edhe sot – përfundon Papa Françesku - është Shpirti Shenjtë që ka mbjellë në ne dëshirën e Mbretërisë së Zotit, nëpërmjet shumë “kanaleve” të gjalla, nëpërmjet personave që e lënë veten të udhëhiqen e ushqehen nga Lajmi i Mirë në mes të dramës së historisë, dhe janë si fare në errësirën e kësja bote, që ndriçojnë drejtimin dhe hapin shtigje të reja në besim dhe në shpresë.” 








All the contents on this site are copyrighted ©.