2017-01-23 14:00:00

Papa në El País: ka shenjtëri në Kishë, është revolucioni i Ungjillit


Gazeta spanjolle “El País” botoi dje një intervistë të gjatë me Papën Françesku, realizuar më 20 janar nga gazetari Pablo Ordaz. Të shumta argumentet: nga çështjet personale deri tek gjendja në botë e në Kishë.

Kisha t’u qëndrojë pranë njerëzve

 Ati i Shenjtë Bergoglio, ashtu si edhe herë të tjera, thekson që në fillim se nuk ka ndryshuar aspak, që kur është bërë Papë. “Të ndryshosh kur je 76 vjeç, është si të bësh makijazh”, qesh. Sigurisht, nuk mund të bëjë gjithçka dëshiron, por i ka mbetur ai shpirti “callejera”, pra, i priftit të rrugës, që rri me njerëzit. Ati i Shenjtë ka frikë pikërisht nga një Kishë, që qëndron larg njerëzve, nga klerikalizmi, “e keqja më e madhe që mund t’i vijë Kishës”, sepse meshtari kthehet në funksionar e Kisha në organizatë jo qeveritare. Afërsi, shpjegon Papa në intervistë, do të thotë të prekësh me dorë korpin e Kishtit, ashtu siç thuhet në kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut: “Kisha uri e më dhatë të ha…”.

Revolucionin e bëjnë shenjtorët

Më pas, Papa Françesku kritikon fjalët në erë për korrupsionin në Kurien Romake. “Ka njerëz të korruptuar – nënvizon – por ka edhe shumë njerëz shenjt, që e kalojnë jetën, duke u shërbyer të tjerëve, pa u dukur”. Shenjtorët janë protagonistët e vërtetë të historisë së Kishës, ata që janë shuar si qiriu, që Ungjilli të zbatohet konkretisht. Këta na kanë shpëtuar gjithmonë, nënvizon Papa. Shenjtorë janë edhe ata prindër e gjyshër, që punojnë çdo ditë me dinjitet e me jetën e tyre mbushin atë të Kishës. Këta e bëjnë revolucionin e vërtetë.

“Po” kritikave të hapura e vëllazërore

Pyetjes mbi reagimet e sektorëve tradicionalistë, që e shohin çdo ndryshim si tradhti ndaj doktrinës kishtare, Bergoglio përgjigjet: “Nuk po bëj asnjë revolucion. Po përpiqem vetëm të shkoj përpara me Ungjillin”. Është risia e Ungjillit, që krijon shkandull. Papa pohon se nuk e ndjen veten “të pakuptuar”, por “të shoqëruar nga të gjitha llojet e njerëzve, të rinj, të moshuar… Nëse ndokush nuk është dakord – thekson – të flasë, jo të hedhë gurin e të fshehë dorën”. Kjo nuk është njerëzore, është kriminale. Të gjithë kanë të drejtë të diskutojnë: diskutimi vëllazëron, por jo shpifjet e thashethemet.

Teologjia e çlirimit

Përsa i përket teologjisë së çlirimit, nënvizon se për Amerikën Latine ka qenë diçka pozitive. U dënua nga Vatikani pjesa, që e analizonte realitetin nga këndvështrimi marksist. Kardinali Ratzinger, kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, shkroi dy këshillime, njëra “shumë e qartë për analizën marksiste” e tjetra, për aspektet pozitive të teologjisë së çlirimit. Prandaj, sipas Atit të Shenjtë, kjo teologji ka pasur aspekte pozitive e negative.

Ekonomia, që vret

Papa Françesku i rikthehet konceptit të “Luftës III Botërore pjesë-pjesë”. Kohët e fundit, vëren, po flitet për një luftë të mundshme bërthamore, sikur të ishte lojë letrash. E shqetësojnë pabarazitë ekonomike: “një grup i vogël i njerëzimit zotëron 80% të pasurisë”. Kjo do të thotë, nënvizon më tej Papa, se në qendër të sistemit ekonomik botëror është zoti i parasë e jo njeriu. Jetojmë në një “ekonomi, që vret” e krijon “kulturën e hedhurinave”.

Mos e gjykoni presidentin Trump para kohe

I pyetur për presidencën amerikane të Donald Trump, përgjigjet: “Të shohim ç’do të ndodhë. Nuk më pëlqen të parathem faktet e as t’i gjykoj njerëzit para kohe… Do të shohim ç’do të bëjë e do ta vlerësojmë më pas. Gjithnjë, konkretisht. Krishterimi është konkret, ose nuk është krishterim”.

Ati i Shenjtë Françesku flet me shqetësim për populizmin në rritje, sidomos në Evropë. Jep shembullin e nazizmit në Gjermani: vend i shkatërruar, që kërkonte identitetin e vet dhe e gjeti në një lider si Hitleri. Në kohë krizash, nuk arrijmë të ndajmë mirë shapin nga sheqeri. Ky është rreziku! Kërkojmë një lloj shpëtimtari, nënvizon Papa, që të na e rikthejë identitetin e, mbrohemi me mure, me tela me gjemba, nga popujt e tjerë, që mendojmë se na e ndryshojnë identitetin. Kjo është e rëndë, thekson Françesku. Duhet dialoguar.

T’i shpëtojmë, t’i presim e t’i integrojmë emigrantët

Në këtë kuadër, hyn edhe problemi i emigracionit. “Që Mesdheu është kthyer në varrezë, është diçka, që duhet të na bëjë të mendojmë”, pohon Ati i Shenjtë me trishtim. Lavdëron Italinë, e cila, megjithë problemet e tërmetit, vijon të presë emigrantë. Janë burra, gra e fëmijë, që ikin nga uria e nga lufta. Para së gjithash, mënvizon Papa, duhen shpëtuar, pastaj, pritur e integruar. Çdo vend, pranon Bergoglio, ka të drejtë të kontrollojë kufijtë, por “asnjë vend nuk ka të drejtë t’i privojë qytetarët e vet nga dialogu me fqinjët”. Kujton më pas, impenjimin e Kishës, shpesh pa bujë, në mikpritjen e emigrantëve.

Të ndërtojmë ura, jo mure

Diplomacia vatikanase, shpjegon më tej, ndërton ura, jo mure; është pikë takimi ndërmjet palëve, por nuk i zëvendëson ato; ndërhyn në interes të popujve.

Roli i grave: jo maskilizmit me fustan

Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, Ati i Shenjtë kujton dramën e skllavërimit të grave, të shfrytëzuara seksualisht. E flet për rolin e grave në Kishë. “Kisha – thekson – është femërore”. Nuk është fjala për maskilizëm me fustan, sipas betejave të feminizmit, por për përpjekjen, që gruaja t’i japë Kishës origjinalitetin e mendimit dhe të gjenisë së saj.

Benedikti XVI ka kujtesë të fortë

Gazetari e pyet Papën edhe për shëndetin e Benediktit XVI e Françesku tregon se problemi i Papës së nderit është tek këmbët. Ecën me shkop, por “ka kujtesë elefanti, deri në detaje”.

Nuk shoh televizor që nga viti 1990

Pastaj, pohon se nuk sheh televizor që prej 25 vjetësh. “Thjesht – nënvizon – sepse në një çast të caktuar ndjeva se këtë po ma kërkonte Zoti. E i bëra këtë premtim më 16 korrik 1990, por s’më mungon aspak”. Gazetari i thotë se e sheh të kënaqur si Papë e Françesku përgjigjet: “Zoti është i mirë e nuk ma ka hequr humorin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.