2017-01-23 15:04:00

Papa: mafia e terrorizmi, kulturë vdekjeje kundër Ungjillit


Fenomeni mafioz, “për t’u kundërshtuar e luftuar”, është “shprehje e kulturës së vdekjes”, që e lufton haptas fenë dhe Ungjillin. Kështu u tha sot Papa Françesku 40 anëtarëve të Drejtorisë Italiane Antimafie dhe Antiterrorizëm, që i priti në Vatikan. Mos u shkurajoni, vijoni të luftoni kundër korrupsionit dhe dhunës, u bëri thirrje, duke nënvizuar se paratë e përgjakura të mafies çojnë drejt një “pushteti të padrejtë”.

Shoqëria ka nevojë të shpëtojë nga korrupsioni

Mafiozët, theksoi Ati i Shenjtë, shfrytëzojnë mungesat ekonomike, shoqërore e politike të një vendi e aty gjejnë terrenin e përshtatshëm për të realizuar planet e tyre. Kur këto mungesa bëhen globale, veprimtaria kriminale mund të kthehet në terrorizëm, i cili po bëhet gjithnjë e më kozmopolit e më shkatërrues:

“Shoqëria ka nevojë të shpëtojë nga korrupsioni, nga grabitja, nga trafiku i paligjshëm i drogës dhe i armëve, nga trafiku i njerëzve, ndër të cilët edhe shumë fëmijë të skllavëruar. Janë plagë të vërteta shoqërore dhe, njëkohësisht, sfida globale, që bashkësia ndërkombëtare është e thirrur t’i përballojë me vendosmëri”.

Rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shteteve

Që këndej, rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shteteve:

“Kjo punë, e realizuar me bashkëpunim dhe me mjete të përshtatshme, ndërton një digë të frytshme dhe një postobllok sigurie për krejt bashkësinë… Ju ftoj të bëni çdo përpjekje, veçanërisht, në luftën kundër trafikut të njerëzve e kontrabandës së emigrantëve: këto janë krime shumë të rënda, që prekin më të brishtët ndër të brishtë!”

Të mirëpresim emigrantët

Duhet të kujdesemi më shumë për viktimat, kërkoi Françesku. Shpesh, ata, që e pësojnë nga trafiku i njerëzve, janë emigrantë në kërkim të paqes dhe të jetës më të mirë. U duhet dhënë ndihmë ligjore e shoqërore:

“Ata, që ikin nga vendet e tyre, për shkak të luftës, të dhunës e të persekutimeve, kanë të drejtë të priten si duhet e të mbrohen nga vendet, që e quajnë veten ‘të qytetëruara’”.

Të punohet për integrimin në shoqëri të të dënuarve

 Krah shtypjes së krimit, vërejti Papa Françesku, duhet menduar edhe për integrimin në shoqëri pas dënimit. Familjet, shkollat, bashkësitë e krishtera, realitetet sportive dhe kulturore, bëri thirrje Ati i Shenjtë, duhet të favorizojnë krijimin e ndërgjegjes së re, orientuar nga moraliteti e ligjshmëria e jetës së ndershme, paqësore e solidare, që pak nga pak fiton mbi të keqen dhe i hap rrugën së mirës. Sepse fenomeni mafioz s’mund të sjellë tjetër, përveçse kulturën e vdekjes:

“Ai e kundërshton në rrënjë fenë dhe Ungjillin, që janë gjithnjë për jetën. Kush ndjek Krishtin, ka mendime paqeje, vëllazërie, drejtësie, mikpritjeje dhe faljeje. …Ndërsa paratë e punëve të ndyra dhe të krimeve mafioze janë të lyera me gjak e çojnë drejt një pushteti të padrejtë. E të gjithë e dimë se djalli hyn nga xhepat: aty është korrupsioni i parë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.