2017-01-23 14:32:00

Papa, Rotës Romake: nevojitet formim para e pas martesës


Nevojitet një “katekumenat i ri”, që përgatit për martesën. Kjo do të shmangte kremtimin e martesave të pavlefshme. Kjo kërkesë ishte në qendër të fjalës së Papës Françesku për Gjykatën Apostolike të Rotës Romake, e cila përuroi vitin e ri gjyqësor, në takimin e së shtunës me Atin e Shenjtë. Dy, shtyllat mbi të cilat duhet ngritur martesa, sipas Papës: formimi i frytshëm para marrjes së Sakramentit dhe shoqërimi nga ana e Kishës edhe pas vënies së kurorës.

Në kuadrin aktual, kur mungesa e vlerave fetare kushtëzon edhe martesën, Ati i Shenjtë kërkoi një formim të ri, më të përshtatshëm për bashkëshortët e ardhshëm:

“Në këtë frymë, theksoj nevojën e një ‘katekumenati të ri’ në përgatitjen për martesë. Për të vënë në jetë kërkesat e etërve sinodalë në Sinodin e fundit të Zakonshëm, është urgjente të zbatohen konkretisht propozimet e paraqitura që në ‘Familiaris Consortio’, pra, ashtu si pagëzimi i të rriturve është pjesë e një procesi sakramentor, ashtu edhe përgatitja për martesë të bëhet pjesë përbërëse e krejt procedurës sakramentore të martesës, si ilaç, që pengon shumëfishimin e kremtimeve martesore të pavlefshme, ose të paqena”.

Formim i vazhdueshëm për çiftet e reja

Përgatitja për martesë, nënvizoi Papa, mund të jetë rast për çiftin, por edhe për familjarët e tyre, të afrohen sërish me Kishën e me fenë, nëse e kanë lënë atë mënjanë, ose në skaj të jetës së tyre. Për këtë, duhen katekistë e meshtarë të përgatitur enkas, por nevojitet edhe bashkëpunim me çiftet e martuara prej një kohe të gjatë, në mënyrë që të arrihet tek “kryevepra e shoqërisë, pra, tek familja: një burrë e një grua, që e duan njëri-tjetrin”, theksoi Ati i Shenjtë. Martesa nuk duhet të jetë vetëm e vlefshme dhe e ligjshme, por edhe e frytshme. Prandaj, Françesku kërkoi që çiftet të ndiqen edhe pas lidhjes martesore:

“Në rrugën e zhvillimit njerëzor e shpirtëror të çifteve të reja duhet të ketë grupe referimi, brenda të cilëve të përshkohet një udhë formimi të vazhdueshëm: përmes dëgjimit të Fjalës së Zotit, konfrontimit për temat që i interesojnë jetës familjare, lutjes e bashkëpunimit vëllazëror”.

Kisha t’u qëndrojë afër familjeve të reja

 Kisha duhet të punojë, vijoi Ati i Shenjtë, që çiftet e reja, pavarësisht nga lodhja e ndoshta, edhe nga varfëria, me të cilën duhet të përballen në jetën e përditshme, ta ndjejnë se historia e tyre e dashurisë është shenjte, sepse Zoti nuk e harron impenjimin e marrë së bashku me ta në ditën e martesës. Pra, Kisha nuk duhet t’i lerë vetëm familjet e reja:

“Shpesh, çiftet e reja lihen vetëm, ndoshta, edhe për faktin e thjeshtë se duken më pak në famulli; kjo vjen sidomos pas lindjes së fëmijëve. Por, pikërisht në këto çaste të para të jetës familjare, duhet garantuar prania më e madhe dhe mbështetja më e fuqishme shpirtërore, sidomos në edukimin e fëmijëve, para të cilëve, bashkëshortët janë dëshmitarët e parë dhe bartës të dhuratës së fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.