2017-01-21 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar “A”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Në kohën e rëndomtë, gjatë vitit kishtar, çdo të diele liturgjia na paraqet elementët më të rëndësishme të predikimit të Jezu Krishtit Zot, të cilat i gjemë në tre Ungjijtë sinoptikë. Gjatë këtij viti, ciklit të Parë “A”, duke u nisur nga e diela e tretë e rëndomtë a e zakonshme e vitit liturgjik, Kisha i kthehet sërish leximit ungjillor nga libri i Mateut.
Mesazhi biblik kryesor i kësaj së diele na vjen nga fragmenti i Ungjillit të parë,  i cili që në fillimet e predikimit Jezusit, i vënë së bashku motivet e ndryshme: zgjedhjen e Galilesë si vendin fillestar të predikimit të Jezusit; thirrjen për t’u konvertuar, si temë dominante të predikimit të Jezusit; thirrjen e katër dishepujve të parë nga Jezusi, që përbëjnë qelizën origjinale të grupit të Dymbëdhjetëve, mbi të cilët është e themeluar dhe nga të cilët ka lindur Kisha.
Pra, në këtë të diele jehon kumtimi i një drite që e kap Galilenë e popujve, me thirrjen për t’u kthyer tek Zoti dhe për ta ndjekur pas Jezu Krishtin, dritën e madhe që ndriçon njerëzimin. Faqja ungjillore e kësaj së diele hapet duke pa në Jezusin, zbatimin a më mirë të themi mishërimin e profecisë së lashtë të popullit që gjendej në errësirë, i cili pa një dritë të madhe. Lirimi, paqja e gëzimi janë tiparet e veçanta të atij që është i gatshëm të ecën pas gjurmëve të Mësuesit Hyjnor, Jezu Krishtit.
-Gëzimi i konvertimit. Jezusi e përuron mbretërinë e Zotit me jetën e vet, me gjestet dhe fjalët e tij. Për ta pranuar lypet të “kthehemi”, do të thotë të dalim prej vetvetes e të jemi të gatshëm, madje të hapemi ndaj mënyrës së re të të jetuarit, të të menduarit e të të vepruarit, sipas mësimit e shembullit të Jezu Krishtit.
Kështu, Fjala e Zotit e kësaj së diele na flet për dy qytetet: Zabulonin e Neftalin, të cilat për situatën e tyre të veçantë gjeografike e historike janë një prej simboleve të çdo mënjanimi, të çdo jete të konsumuar në errësirë. E megjithatë pikërisht drejt këtyre qyteteve Jezusi shkon për t’u sjell gëzimin e faljes, lajmin e mirë të një jete të ndriçuar nga hiri i Zotit. Si Jezusi edhe Kisha, e themeluar mbi apostujt dhe ne, bijtë e Kishës, jemi të thirrur e jemi të dërguar për t’u sjell Krishtin dritë e shpëtim atyre që ende jetojnë larg Zotit.
Pra, Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton të jemi peshkatarë njerëzish. E në këtë veprimtari misionare,  Jezusi na përforcon me Fjalën e tij dhe praninë e tij, që të mund të jemi dëshmitarë të Tij.
Hyrja në Leximet
Is 8,23-9,3 – Pas përuljes (poshtërimit), çlirimi e gëzimi pa kufij arrin përmes ndërhyrjes shpëtimprurëse të Hyjit, pas errësirës drita e shpëtimit shkëlqen.
1Kor 1,10-13.17 – Pali e lufton rrezikun e ndarjes në komunitetin e Korintit. Është fjala për problemet e përkatësisë: jemi pronë e Krishtit dhe të gjithë të tjerët janë vetëm lajmëtarë të tij.
Mt 4,12-23- Jezusi, dritë e popujve, predikon konvertimin ndërsa përshkon Galilenë. Aty i thërret dishepujt e parë, Simonin e Andreun, Jakobin e Gjonin për t’i bërë peshkatarë njerëzisht e për të ndërtuar mbretërinë e Zotin.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut (Mt 2,12-23)

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:

“Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lind drita.”

Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”.

Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër – Simonin që quhej Pjetër dhe Andreun, të vëllain e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzisht!”.

Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.

Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar së sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.