2017-01-20 14:04:00

Hotel Rigopiano: 8 vetë gjallë nga dëbora. Lutja e Papës


Lajmi i parë i mirë nga Hotel Rigopiano, në zonën e Peskarës në Itali, mbuluar nga dëbora dhe gjunjëzuar nga tërmeti, i cili shkaktoi edhe ortekun, që e zhvendosi hotelin me 10 metra, duke bllokuar më se 30 vetë brenda tij. Sot paradite, 8 vetë dolën të gjallë nga hoteli, pasi u nxorrën prej një hapësire të ngushtë nga personeli i Mbrojtjes Civile, që vijon të gërmojë në borë, me ndihmën e ushtrisë. Janë tre burra, tre gra e dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, që shpëtuan vetëm, sepse patën mbi krye çatinë e papafingos, e cila e mbajti borën e, sepse patën mundësi të ndezin një zjarr. Deri tani, viktimat janë tre, por nuk mund të thuhet asgjë për fatin e të tjerëve. Nga Papa Françesku, thirrja për lutje e solidaritet. Të dëgjojmë sekretarin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Nunzio Galantino:

         Papa informohet për këtë vazhdimisht. Di se herë pas here merr në telefon ndonjërin prej ipeshkvijve të zonës, prandaj është i mirëinformuar për gjendjen. Jo vetëm i fton të gjithë të luten, por na nxit edhe neve si Konferencë Ipeshkvnore, të bëjmë ç’është e mundur për t’u qëndruar afër popullsive. Gjendja është vërtet dramatike, sepse prek një territor shumë të gjerë. Pastaj, pas borës, ra tërmeti e gjendja meteorologjike nuk përmirësohet. Kjo e ka ndërlikuar tmerrësisht çdo gjë. Njerëzit ndjehen keq edhe psikologjikisht, siç na e thonë të gjithë ipeshkvijtë e zonës.








All the contents on this site are copyrighted ©.