2017-01-19 14:07:00

Papa Françesku: jeta e krishterë është luftë e përditshme kundër tundimeve


Jeta e krishterë është luftë kundër tundimeve, mbi të cilat fitojmë, nëse shkojmë pas Jezusit: kështu Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Tundimet, nënvizoi Ati i Shenjtë, na çojnë në rrugë të gabuar e Jezusi erdhi në këtë botë, pikërisht për të ndërprerë ndikimin e së keqes në zemrat tona.

Turma mblidhej spontanisht pas Jezusit

Ungjilli i sotëm tregon se një turmë e madhe njerëzish e ndiqnin Jezusin kudo. “Pse i shkonte pas kjo turmë?” pyeti Papa. Ungjilli sqaron se ndër këta njerëz, kishte të sëmurë, që donin të shëroheshin; kishte njerëz, që u pëlqente ta dëgjonin Jezu Krishtin, i cili nuk fliste si dijetarët e ligjit, por me tjetër autoritet e kjo i prekte të pranishmit në zemër. “Turma mblidhej spontanisht, nuk e sillnin me autobuze - ironizoi Papa për një situatë që haset edhe ndër shqiptarë - siç kemi parë kur organizojnë manifestime”. Pastaj, vijoi me sarkazëm, dikush shkon të verifikojë nëse njerëzit kanë ardhur e kush nuk është i pranishëm humbet vendin e punës. Ndërsa njerëzit, që shkonin pas Jezusit, ishin aq të shumtë, saqë Atij iu desh të hipte në barkë e të largohej nga bregu për t’u folur:

 “Kjo turmë, a shkonte te Jezusi? Po! A kishte nevojë për Të? Po! Disa ishin kureshtarë, por këta ishin pakicë… Këtë turmë e tërhiqte aty Ati Qiellor: ishte Ai, që i nxiste njerëzit drejt Jezusit. Deri në atë pikë sa Jezusi nuk qëndroi indiferent, si ndonjë mësues i ngurtë, që thotë fjalët e veta e pastaj lan duart. Jo! Kjo turmë ia prekte zemrën Jezusit. Edhe Ungjilli thotë: ‘Jezusi u mallëngjye, sepse pa gjithë këta njerëz si delet pa bari’. Është Ati Qiellor, që përmes Shpirtit Shenjt, i tërheq njerëzit drejt Jezu Krishtit”.

Jeta e krishterë është luftë kundër tundimeve

Jo vetëm turma e ndiqte Krishtin me entuziazëm, por edhe shpirtat e këqinj, kur e njihnin, detyroheshin të pranonin se Ai ishte Biri i Zotit:

“Kjo është e vërteta; ky është realiteti, që ndjen secili prej nesh kur i afrohet Jezusit. Shpirtrat e këqinj përpiqen të na pengojnë, na shpallin luftë. ‘Po more atë, por unë jam shumë katolik, shkoj gjithmonë në meshë…po kurrë nuk kam tundime të tilla. Falë Zotit, jo!’ “Lutu, sepse je në rrugë të gabuar!’ Një jetë pa tundime nuk është e krishterë: është ideologjike, gnostike, por jo e krishterë. Kur Ati Qiellor i tërheq njerëzit drejt Jezu Krishtit, është edhe një tjetër, që i tërheq nga e kundërta e u shpall luftë! Prandaj shën Pali flet për jetën e krishterë si për një luftë: luftë e përditshme. Luftë!”

Ta pyesim zemrën: a po luftojmë kundër së keqes?

 Bëjmë luftë për të shkatërruar mbretërinë e Djallit, mbretërinë e së keqes. Prandaj erdhi në këtë botë edhe Krishti, për të ndërprerë ndikimin e Qoftëlargëtit në zemrat tona. E jeta e krishterë është luftë për ta lënë zemrën të joshet nga Jezu Krishti, përndryshe mbetemi pa lëvizur. I krishteri duhet ta ndjejë se po bën ç’është e mundur që Jezusi të fitojë në zemra, theksoi Papa:

“Të mendojmë si është zemra jonë: a e ndjej unë këtë luftë në zemrën time? Ndërmjet rehatisë e shërbimit për të tjerët, ndërmjet argëtimit e lutjes dhe adhurimit të Zotit, ndërmjet njërës e tjetrës, a ndjej se ka luftë? Ndërmjet dëshirës për të bërë mirë e diçkaje që më frenon? A besoj unë se jeta ime e mallëngjen zemrën e Jezusit? Nëse nuk e besoj këtë, duhet të lutem shumë që të më jepet ky hir. Secili prej nesh, le të kërkojë në zemrën e vet e të shohë si është gjendja. E t’i lutemi Zotit të jemi të krishterë, që dinë të dallojnë ç’po u ndodh në zemër e dinë ta zgjedhin mirë rrugën, përmes së cilës Ati Qiellor na tërheq drejt Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.