2017-01-18 17:41:00

Tërmet i ri në Italinë qendrore, ku ndjehet edhe emergjenca e borës


Kthehet frika nga tërmeti në Italinë qendrore. Sot, duke filluar nga ora 10.25, pati të paktën nëntë lëkundje nga 5.0 deri në 5.4 gradë të shkallës Richter, si edhe të tjera, më të vogla. Epiqendra, në Montereale, një komune ndërmjet Aquila-s dhe Rietit, vetëm 10 km nga Amatrice, ku ra tërmeti i njohur i 24 gushtit. Lëkundjet u ndjenë qartë në gjithë bregdetin e Adriatikut e edhe në Romë, ku si masë parandaluese, u mbyll metroja për disa orë dhe u boshatisën zyrat e shkollat.

 Frikë e madhe, sidomos, në mesin e popullsisë së Amatrice-s, e cila ndodhet prej disa ditësh në gjendje shumë të vështirë, për shkak të borës së madhe. Tërmeti shembi përfundimisht këmbanoren e kishës së Shën Augustinit, e cila ishte dëmtuar shumë gjatë lëkundjeve të tokës më 24 gusht e në fund të tetorit. Të dëgjojmë ipeshkvin e Ascoli Piceno-s, imzot Giovanni D’Ercole:

Lëkundjet janë gjithnjë e më të forta, ka edhe shembje e sidomos, njerëzit kanë frikë. Bora ka bllokuar disa zona. Me një fjalë, bora dhe tërmeti bashkë i kanë shkurajuar shumë njerëzit, që rrinë jashtë, nuk duan të hyjnë në shtëpi, janë të tmerruar. Sapo na dukej se po rifillonte jeta, lëkundje si këto na hedhin edhe një herë poshtë. …Edhe në fshatrat fqinjë, deri në Acquasanta, deri në Ascoli, dëmet janë të mëdha. 








All the contents on this site are copyrighted ©.