2017-01-18 13:17:00

Papa: në rrezik, të zbulojmë nevojën për të shpresuar në Zotin e jetës


Para vdekjes dhe rrezikut, njeriu kupton sa i brishtë është e sa ka nevojë të shëlbohet, gjë që arrihet duke u lutur e duke “shpresuar në Zotin e jetës”. Ky, thelbi i katekizmit të sotëm të Papës Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan.

Ati i Shenjtë reflektoi mbi jetën e Jonës profet

Ati i Shenjtë Bergoglio reflektoi mbi jetën e Jonës profet, një figurë “pak si e çuditshme” e Shkrimit Shenjt, që përpiqet t’i bëjë bisht thirrjes së Zotit, duke mos pranuar të vihet “në shërbim të planit hyjnor të shëlbimit”. E megjithatë, shtoi Papa, para rrezikut e vdekjes, e kupton se për të pasur shpresë i duhet t’i lutet Hyjit:

“Zoti na bëftë ta kuptojmë këtë: lidhjen ndërmjet lutjes e shpresës: Lutja të bën të ecësh përpara me shpresë e kur gjërat vështirësohen…. më shumë lutje! E do të ketë më shumë shpresë”.

Roli i  marinarëve paganë

Hyji e pati ftuar Jonën të shkonte drejt periferisë, drejt Ninives, në Irakun e sotëm, për t’i kthyer banorët në rrugën e drejtë. Në atë kohë, për një izraelit si Jona, qyteti përfaqësonte rrezik për Jeruzalemin, prandaj duhej shkatërruar e jo shpëtuar. Kur Zoti i kërkon Jonës të shkojë për të predikuar në atë qytet, vijoi tregimin Papa, profeti, pavarësisht se e njeh mirësinë e Hyjit dhe dëshirën e Tij për të falur, përpiqet t’i bëjë bisht detyrës dhe ikën në Spanjë. Gjatë lundrimit, sheh se marinarët paganë, kur u ndodhën në mesin e një stuhie të furishme, i drejtohen me lutje secili Zotit të vet. E i thonë Jonës të bëjë të njëjtën gjë:

“Reagimi i këtyre ‘paganëve’ është qëndrimi i drejtë para vdekjes, para rrezikut, sepse pikërisht atëherë, njeriu e kupton plotësisht brishtësinë e vet dhe nevojën për shpëtim. Tmerri instinktiv para vdekjes i zbulon nevojën për të shpresuar në Zotin e jetës… Tepër lehtë ne nuk denjojmë t’i lutemi Zotit në nevojë, sikur kjo të ishte vetëm lutje për interes, pra, jo e drejtë. Por Hyji e njeh brishtësinë tonë, e di se kujtohemi për Të që t’i kërkojmë ndihmë e, me buzëqeshjen e mëshirshme të një ati, na përgjigjet me mirësi”.

Vdekja që po afrohej çon drejt lutjes

Jona, vijoi Papa Françesku reflektimin mbi profetin biblik, e kupton se pati gabuar dhe hidhet në det për të shpëtuar  shokët e udhëtimit. Kështu, stuhia pushon. Vdekja që po afrohej çon drejt lutjes e profeti e jeton thirrjen e vet në shërbim të të tjerëve, duke pranuar të flijohet për ta e duke i nxitur të mbijetuarit të thurin lavde për Zotin e vërtetë, theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio:

“Shpresa, që i kishte nxitur të luteshin për të mos vdekur, bëhet kështu edhe më e fuqishme e vepron në një realitet, që shkon përtej asaj, në të cilën ata shpresonin: jo vetëm nuk humbin jetën në stuhi, por ua hapin zemrat njohjes së Zotit të vetëm e të vërtetë të qiellit e të tokës”.

Shpresa e banorëve të Ninives

 Më vonë, e përfundoi reflektimin e tij Papa Françesku, edhe banorët e Ninives, kur e shohin se po u vjen fundi, luten, të nxitur nga shpresa se Zoti do t’i falë. Bëjnë pendesë dhe kthehen në rrugën e Hyjit, sepse kur dalin të gjallë nga udha e nisur drejt vdekjes, e kuptojnë të vërtetën:

“Kështu, përmes Mëshirës Hyjnore e, edhe më tepër, në dritën e misterit të Pashkëve, vdekja mund të bëhet, ashtu siç ishte për shën Françeskun e Asizit, ‘motra jonë vdekje’ e të përfaqësojë, për çdo njeri e për secilin prej nesh, rastin e papritur për të njohur shpresën e për të takuar Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.