2017-01-17 16:54:00

Shqiptarët e Romës nderuan kujtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut


Mesdita e 17 janarit 2017, në sheshin Albania në Romë, pati diçka të veçantë. Një grup i madh shqiptarësh u mblodh në orën 12.00 për të përkujtuar Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në përvjetorin e vdekjes. Frynte erë e bënte ftohtë, por të gjithë ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij çasti, kur për herë të parë, të tria ambasadat shqiptare në Romë paraqiteshin me një zë të vetëm. Vlerat, bëmat dhe virtytet e Gjergj Kastriotit, “Athleta Christi” siç u quajt nga papët, mbrojtës i flaktë i krishterimit, që nuk u lejoi otomanëve të kalonin në Evropë, që i bashkoi shqiptarët nën të njëjtin flamur, u vunë në dukje nga të tre krerët e përfaqësive diplomatike: për ambasadën e Shqipërisë pranë Vatikanit, z. Visar Zhiti; për ambasadën e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri e për ambasadën e Kosovës në Itali, znj. Alma Lame. Të dëgjojmë një pjesë nga fjala e tyre, duke nisur nga z. Zhiti, më pas, znj. Bitri e së fundi, znj. Lame…

Të pranishëm në tubim një grup emigrantësh, studentësh e personash të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe arbëreshë dhe italianë, shumë prej të cilëve kanë lidhje të veçanta me shqiptarët, sepse kanë punuar për një kohë pranë tyre. I përshëndeti të pranishmit një intelektual arbëresh, ndërsa atë Andrea David, verbit, që ka shërbyer për disa vite në Mirditë, i ftoi të gjithë të luten së bashku e së fundi, u dha bekimin. Për mesazhin, që përçon figura e Skënderbeut në ditët e sotme, ua drejtuam mikrofonin pikërisht shqiptarëve të pranishëm në tubim. T’i dëgjojmë…








All the contents on this site are copyrighted ©.