2017-01-17 16:58:00

Bashkia Lezhe e shpalli 2017- ën, vit dedikuar figurës së Skënderbeut në vigjilje të 550 vjetorit të vdekjes


Sot ne 549 vjetorin e përkujtimit te Heroit, Bashkia Lezhe e shpalli 2017- ën, si vit dedikuar figurës se Skënderbeut, ne vigjilje te 550 vjetorit te ndarjes se tij nga jeta ( 6 Maj 1405 - 17 Janar 1468).

Ndërsa mbetet një figure historike krenarie, në themel të jetëshkrimit të tij vazhdon të jetë Vepra e Barletit; “Historia e Skënderbeut“-"HISTORIA DE VITA ET HESTIS SCANDERBEGI EPIROTARUM PRINCIPIS", ("Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut Princit të Epirotëve") e shkruar në latinisht nga Marin Barleti, prift shkodran, u botua për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510.

Kjo vepër monumentale historike tregon jetën dhe veprën e heroit legjendar të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. E përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët europiane dhe mbas 500 vjetësh, edhe në gjuhën amtare të Barletit, shqipëruar nga Stefan l. Prifti, ajo përfaqëson ungjillin e patriotizmit shqiptar.
Një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësinë dhe lehtësinë e frazës. 
Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftërave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër osmaneve. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar. Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre. Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë. Vepra u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. 
Fan Noli ka shkruar se vepra e Barletit "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë". Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.

Merita kryesore e Barletit si autor është se ngriti Skënderbeun nga një hero jetësor ne një hero letrar. (nga facebook.)








All the contents on this site are copyrighted ©.