2017-01-16 12:46:00

Papa Françesku pret presidentin e Guinesë, që i dhuron maskën e pjellorisë


Papa Françesku priti sot paradite Presidentin e Republikës së Guinesë, Alpha Condé, në një takim 15 minutësh. Së bashku me presidentin, edhe bashkëshortja dhe një delegacion.

Zhvillimi i gjithanshëm i njeriut, mbrojtja e ambientit, lufta kundër padrejtësisë shoqërore dhe varfërisë, si edhe politikat e përshtatshme për të përballuar fenomenin e emigracionit: këto ishin disa çështje me interes të përbashkët, për të cilat u fol gjatë bisedës. Më pas, presidenti Condé u takua edhe me autoritete të tjera të Vatikanit.

Gjatë takimeve, u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, siç njofton nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Gjithashtu, u vu në dukje roli dhe kontributi i rëndësishëm i institucioneve katolike në Guine, sidomos në fushën edukative dhe shëndetësore, si edhe në promovimin e dialogut me bashkësinë myslimane. Guinea, u theksua, impenjohet konkretisht për pajtimin e rajonit e ruajtjen e paqes në zonë.

Në çastin e shkëmbimit të dhuratave, presidenti Condé i dha Atit të Shenjtë një maskë afrikane, që përfaqëson zotin e pjellorisë dhe të jetës. “Italia – i tha presidenti – ka shumë nevojë për pjellori”, siç treguan të pranishmit në takim për agjencinë italiane të lajmeve ANSA. Ndërkaq, Papa i dhuroi një medalje të papnisë dhe një kopje të enciklikës “Amoris Laetitia”.








All the contents on this site are copyrighted ©.