Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

“L’Osservatore Romano” për çështjen e trenit Serbi-Kosovë

Treni i nisur nga Serbia për në Kosovë - EPA

16/01/2017 19:38

Gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” i kushton vëmendje çështjes së trenit të mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë e Kosovës, me një artikull, në të cilin përshkruan ngjarjen, në edicionin e saj të datës 17 janar, që si zakonisht, del që sot pasdite. Titullohet “Ndeshje ndërmjet Serbisë e Kosovës” e po e japim të plotë më poshtë:

“Beograd, 16 janar. Rindizet ndeshja, kurrë e fashitur plotësisht, ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Nisma serbe për të rihapur, 18 vjet pas konfliktit të 1999-ës, lidhjen e parë të drejtpërdrejtë mbi shina (pa ndërrime, siç bëhet aktualisht) ndërmjet Beogradit e Mitrovicës shkaktoi dje një nga krizat më të këqia të viteve të fundit ndërmjet Serbisë e Kosovës, vend me shumicë shqiptare, shpallur i pavarur më 2008 e kurrë i njohur nga Beogradi.

Vendimi serb, në fakt, përkeqësoi shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ballkanike, të cilat ranë në pak orë në nivelin më të ulët që nga fillimi i dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në mars të vitit 2011.

Mitrovica, ndarë më dysh ndërmjet serbëve e shqiptarëve nga lumi Ibër, është kryeqendra e të njëjtit qark të Kosovës veriore. Konsiderohet “kryeqendra” e Kosovës së veriut dhe e pjesës veriore me shumicë serbe; është seli e të gjitha institucioneve serbe në Kosovë, që njihen nga qeveria e Beogradit, por jo nga ajo e Kosovës së pavarur. Përveç kësaj, qyteti ka dy administrata, njëra serbe në pjesën veriore dhe, tjetra shqiptare, në pjesën jugore.

Treni ishte mbushur me parrulla nacionaliste dhe patriotike serbe. Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, foli për “provokim” e për vendim “të paligjshëm”, që vë në diskutim sovranitetin e Kosovës, duke u dhënë urdhër forcave speciale të rreshtohen në kufirin me Serbinë. I ashtuquajturi “tren i mosmarrëveshjes”, më pas, u ndalua. Një tren, deklaroi Thaçi për shtypin, që kishte brenda eksponentë serbë, të cilëve nuk u ishte dhënë leja për të hyrë në Kosovë.

I menjëhershëm reagimi i Serbisë. Presidenti Tomislav Nikoliç nuk e përjashtoi mundësinë që Beogradi të dërgojë ushtrinë në Kosovë, në mbrojtje të popullsisë serbe, së kërcënuar edhe me vdekje. ‘Ne nuk e duam luftën, por do të dërgojmë ushtrinë, nëse do të ishte e nevojshme, për të mbrojtur serbët në rrezik’, pohoi Nikoliç.

Më vonë, treni u rinis, por për t’u kthyer në Beograd. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, e akuzoi lidershipin e Prishtinës se gjeti pretekstin e rifillimit të lidhjes hekurudhore ndërmjet Beogradit e Mitrovicës, për të shkaktuar incidente me popullsinë serbe. Vuçiç saktësoi më pas se ka folur për ngjarjen me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për punët e jashtme e politikën e sigurisë, Federica Mogherini dhe, se në orët e ardhshme do të kontaktojë autoritetet e Rusisë, të Kinës e të SHBA-ve”.

16/01/2017 19:38