2017-01-13 18:09:00

Kisha dhe të rinjtë: paraqitet Dokumenti përgatitor i Sinodit


Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, sot paradite, u paraqit dokumenti përgatitor i Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve.Propozon kërkimin e mënyrave më të mira për t’i shoqëruar të rinjtë në rrugën e njohjes e të pranimit të thirrjes, që të mund ta jetojnë plotësisht jetën e tyre e ta kumtojnë sa më me fryt Ungjillin. Dokumenti shënon fillimin e fazës së këshillimit me gjithë popullin e Zotit: u drejtohet Konferencave ipeshkvnore, Këshillave të Hierarkive të Kishave Lindore Katolike, dikastereve të Kuries Romake dhe Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm. Parashikohet edhe këshillimi me vetë të rinjtë, përmes një kanali të internetit.

Kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve e hapi takimin me gazetarët duke paraqitur strukturën e dokumentit, që ka për qëllim - kujtoi - të mbledhë informacione për kushtet aktuale shoqëroro-kulturore të larmishme, në të cilat jetojnë të rinjtë me moshë ndërmjet 16 e 29 vjetëve, për t’i kuptuar më mirë gjatë hapave të ardhshme përgatitore të Asamblesë së Ipeshkvijve. Teksti ndahet në tri pjesë: e para është pikërisht njohja e realitetit; e dyta, rëndësia e shqyrtimit; e treta përqendrohet mbi veprimtarinë baritore të bashkësisë kishtare. Kisha dëshiron t’i shoqërojë të rinjtë në rrugën e zbulimit dhe të realizimit të thirrjes së tyre. Të dëgjojmë kardinalin Baldisseri:

“Sqarojmë se termi ‘thirrje’, duhet  kuptuar  në gjithë gjerësinë e tij dhe se  ka të bëjë me gjithë gamën e mundësive të realizimit konkret të jetës në gëzimin e dashurisë e në përsosurinë, që arrihet, kur ia dhuron gjithë  vetveten Zotit e të tjerëve. Bëhet fjalë për të gjetur formën konkrete të këtij realizimi të plotë. Rrugët, që mund të zgjidhen në jetë janë të shumta. I  riu mund të martohet, mund të bëhet prift, rregulltar, mund të zgjedhë profesionin, angazhimin shoqëror e politik, stilin e jetës, shfrytëzimin e kohës e të parave e mënyra të tjera, nga më të ndryshmet”.

Dokumenti përgatitor plotësohet nga  një pyetësor, që parashikon mbledhjen e të dhënave statistikore për çdo Kishë vendase, përgjigjet që duhet t’i jepen pyetjeve, për ta njohur më mirë çdo situatë e së fundi, edhe njohjen e praktikave të ndryshme baritore, që të mund ta ndihmojnë gjithë Kishën. Por edhe të rinjtë do të marrin pjesë aktivisht në këtë fazë përgatitore, përmes një kanali të internetit, në të cilin do të mund të shprehin mendimet, dëshirat, shpresat e jetës së tyre.

Imzot Fabio Fabene, zëvendës-sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve, shpjegon arsyen e zgjedhjes së kësaj rruge:

“Sinodi i ardhshëm nuk dëshiron t’i japë përgjigje vetëm pyetjes si mund të shoqërohen të rinjtë në përpjekjen për të zgjedhur rrugën më të përshtatshme të jetës, në dritën e Ungjillit, por edhe t’i dëgjojë dëshirat e tyre, t’i njohë planet, ëndrrat, që kanë për ardhmërinë e tyre. E t’i njohë nga afër edhe vështirësitë që ndeshin në realizimin e planeve në shërbim të shoqërisë, ku dëshirojnë të jenë protagonistë aktivë”.

E, për t’i  aktivizuar sa më mirë të rinjtë, do të ndërmerren edhe një mori nismash, si mbrëmësore lutjesh, takime ndërkombëtare, koncerte...Përgjigjet, që do t’i jepen pyetësorit të Dokumentit përgatitor si dhe ato të të rinjve, do të shërbejnë si bazë për hartimin e Dokumentit të punës apo të Instrumentum laboris, që do të jetë pikëmbështetjeje për diskutimet e Etërve sinodalë.

Në konferencën e sotme të shtypit folën edhe dy të rinj të famullisë romake të Shën Tomës Moro. Papa u shprehu mirënjohjen për zgjedhjen e temës së Sinodit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.