2017-01-13 12:25:00

Emigrantët e mitur, të ligësht e pa zë


Janë më se një milion, emigrantët e mitur në Itali. Me më se 196 kombësi të ndryshme. 60% e tyre kanë lindur në Itali e 15 mijë, janë të ardhur në trojet italiane të pashoqëruar. Prej tyre, çdo vit bijësohen rreth 3000 të mitur,  pa familje. Ndërsa numri i nxënësve është 814 mijë. Këto, fytyrat e emigrantëve të mitur vetëm në trojet italiane, fatet e të cilëve Papa na fton t’i njohim mirë në Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit 2017.

Historitë e jetëve të tyre shpesh herë janë plot me vuajtje e braktisje, sidomos kur kërkojnë strehim, pasi kanë ikur nga 35 luftëra, që vijojnë nëpër botë, ku luftohet Lufta III Botërore vende-vende - siç e quan Papa.  Na kujtojnë Sirinë në flakë. Irakun nën bomba. Ukrainën e kërcënuar nga konflikti. Eritrenë e gjunjëzuar nga terrorizmi… Na kujtojnë vuajtjet, dhunën, braktisjen nga kanë dalë, për të hyrë në situata, ku ndjehen jashtëzakonisht të ligshtë e të pambrojtur.

Në botën, ku jetojnë tani, ndërmjet bashkësive tona të krishtera, të nxitura edhe nga thirrjet e vazhdueshme të Papës, nuk kanë munguar shenjat e mikpritjes  bujare e as projektet, përmes të cilave shumë prej të miturve kanë gjetur strehë e familje. E s’është angazhim i lehtë ky, sepse duhen përballuar shumë sfida, duhet trokitur në shumë dyer të mbyllura, duhet kapërcyer frika, që nganjëherë e bën tejet të vështirë mikpritjen e  të miturve të pafat, në bashkësitë e vendeve, ku kërkojnë strehë e mirëkuptim. Prej këndej, në këtë Ditë botërore të emigrantit e të refugjatit, të krishterët janë të thirrur të bëjnë një gjest konkret, ta dëshmojnë fenë e një Kishe që takohet e dialogon. Siç e kujton Papa në nxitjen apostolike Evangelii gaudium, duke kërkuar vëmendje ungjillore të veçantë për të varfërit.

Sa të rinj e fëmijë, ndërmjet mijëra e mijëra refugjatëve, që ditë për ditë zbarkojnë në brigjet e botës së pasur.

Njerëz të dëshpëruar, në ikje, nga lufta, dhimbja, uria…

Në kërkim krahësh të hapur, mikpritës, që në zemrat e tyre të thyera të lindë përsëri shpresa!

Shumë nuk i prekën kurrë brigjet aq të dëshiruara.

E deti i ëndrrave, u bë varr për ta.

O Zot, e keqja mbretëron, shtyp, prodhon veç gjak e lot mbi tokën tonë të lodhur, të pushtuar nga mjerimi.

Dhe sa do të vuajë njerëzimi, o Zot, që të mbushet përplot kelku me verën e hidhur të vdekjes?

Na  e jep frymën tënde jetëdhënëse, o Zot, që bota të bëhet e re e të terë çdo lot,

e  në fytyrën e vrarë të njerëzimit, të çelë përsëri buzagazi i shumëpritur.








All the contents on this site are copyrighted ©.