2017-01-10 12:49:00

Papa: Jezusi ka autoritet, sepse shërben. Klerikalizmi i përbuz njerëzit


Jezu Krishti kishte autoritet, sepse u shërbente njerëzve, ishte pranë tyre me koherencë, në kundërshtim me dijetarët e ligjit, të cilët ndjeheshin princa. Këto karakteristika të autoritetit të Krishtit vuri në dukje sot Papa Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Jezu Krishti u shërbente njerëzve, farisenjtë e ndjenin veten princa

Autoriteti i Jezusit ishte real, ai i farisenjve, formal. Në Ungjillin e sotëm flitet për habinë e njerëzve, kur shihnin se Krishti jepte mësime si “njeri me autoritet” e jo si skribët, të cilët shpërndanin këshilla, që nuk u hynin njerëzve në zemër. Jezusi nuk përdorte joshjen, u mësonte njerëzve Ligjin deri në germën e fundit, u mësonte të Vërtetën, por me autoritet. Sipas Atit të Shenjtë, janë tre, tiparet e këtij mësimi. Së pari, Jezusi i këshillonte njerëzit me përvuajtëri, duke u thënë dishepujve të vet të bëheshin të vegjël e të shërbenin, ndërsa farisenjtë e ndjenin veten princa:

“Jezusi u shërbente njerëzve, u shpjegonte gjërat, që njerëzit ta kuptonin mirë: ishte në shërbim të tyre. Sillej si shërbëtor e kjo i jepte autoritet. Ndërsa, këta dijetarë të ligjit, njerëzit i dëgjonin, i respektonin, por nuk e ndjenin autoritetin e tyre, pasi këta kishin psikologjinë e princave: ‘Ne jemi mësuesit, princat, e ne ju mësojmë juve’. Nuk ishte shërbim: ‘ne komandojmë, ju bindeni’. Ndërsa Jezusi nuk u soll kurrë si princ: ishte përherë shërbëtori i të gjithëve e kjo i jepte autoritet”.

Tipari i dytë i autoritetit: afërsia me njerëzit

Qëndrimi pranë njerëzve, vijoi Papa, të jep autoritet. Pikërisht afërsia është tipari i dytë, që e dallon autoritetin e Krishtit nga ai i farisenjve. Jezusi, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk kishte alergji nga njerëzit. Prekte të gërbulurit, të sëmurët, nuk i përbuzte të varfërit dhe të paditurit, në kundërshtim me farisenjtë, të cilëve u pëlqente të dukeshin në sheshe të veshur mirë e të mbaheshin me të madh:

“Ishin të ndarë nga njerëzit, nuk u qëndronin afër; Jezusi u rrinte shumë afër njerëzve e kjo i jepte autoritet. Këta dijetarë kishin psikologji klerikaliste: mësonin me autoritetin klerikalist. Mua më pëlqen shumë kur lexoj për afërsinë, që kishte me njerëzit i Lumi Pali VI; në numrin 48 të ‘Evangelii Nuntiandi’ shihet zemra e bariut të afërt: aty qëndron autoriteti i këtij Pape, në afërsinë e tij”.

Sjellja klerikaliste është hipokrizi

Ka një aspekt të tretë, që e dallon autoritetin e Krishtit, theksoi më tej Papa Françesku. Jezusi e jetonte atë, që predikonte. Kishte unitet, harmoni, ndërmjet asaj që mendonte e asaj, që ndjente e bënte. Ndërsa, kush e ndjen veten princ, nënvizoi Ati i Shenjtë, sillet me hipokrizi: tjetër thotë e tjetër bën. Ky është qëndrimi klerikalist:

“Këta njerëz nuk ishin koherentë e personaliteti i tyre ishte kaq i dyzuar, sa Jezusi i këshillon dishepujt: ‘Bëni atë, që thonë e jo atë, që bëjnë’, sepse tjetër thoshin e tjetër bënin. Inkoherencë! Nuk ishin koherentë. E epiteti që përdor shpesh Jezusi për ta është ‘hipokrit’. Kuptohet kur ndokush e ndjen veten princ, mban qëndrim klerikalist, është hipokrit, pa autoritet! Thotë të vërtetën, por pa autoritet. Ndërsa Jezusi, që është i përvuajtur, që shërben, që është i afërt, që nuk i përbuz njerëzit dhe është koherent, ka autoritet. E ky është autoriteti, që ndjen populli i Zotit”.

Habia e bujtinarit në shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë

Në përfundim të meshës, Papa kujtoi shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, në përpjekjen për ta shpjeguar edhe më qartë mendimin e tij. Para njeriut të lënë gjysëm të vdekur në rrugë nga cubat, kalon meshtari e ikën, sepse sheh gjakun e mendon se po ta prekë do të ndyhet: kalon leviti e mendon se po të përzihej në atë çështje do t’i duhej të dëshmonte në gjyq, por ai kishte shumë punë e s’kishte kohë. Kështu, ikën. Pastaj vjen samaritani, mëkatari, që pati mëshirë. Por ka një personazh tjetër, vërejti Papa. Është ai i bujtinarit, që habitet jo për sulmin e hajdutëve e as për sjelljen e meshtarit e të levitit, sepse i njihte, por për qëndrimin e samaritanit. Habia e bujtinarit para samaritanit: “Po ky është i çmendur… nuk është hebre, është mëkatar”, ndoshta mendonte. Kjo, sipas Atit të Shenjtë, është edhe habia e njerëzve të sotëm para autoritetit të Jezusit: “autoritet i përvuajtur shërbimi, pranë njerëzve dhe koherent”.








All the contents on this site are copyrighted ©.