2017-01-09 19:36:00

Përshëndetja e dekanit për Papën: falja, udha kryesore për pajtimin


Falenderimi “për shpjegimin e qartë të kuptimit të fjalës mëshirë”: me këtë filloi fjala e dekanit të Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë për Papën Françesku, gjatë takimit të sotëm në Vatikan për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri. Ambasadori angolan Armindo Fernandes do Espírito Santo Vieira, në fillim të audiencës, e falenderoi Atin e Shenjtë, sepse nuk kthehet kurrë mbrapsht, pavarësisht nga pengesat, kur duhet të dëshmojë se falja është rruga kryesore për pajtimin. Vërtet, mëshira nuk është “ide abstrakte, por një realitet, që konkretizohet gjithnjë përmes faljes”, nënvizoi.

         Diplomati kujtoi veprën e Atit të Shenjtë në fushën e bashkimit të të krishterëve, të ekumenzimit, të dialogut ndërmjet feve. “Takimi me imamin e madh të Al-Azharit – theksoi ndër të tjera – e gjallëroi impenjimin e feve të mëdha për paqen. Në Tempullin e madh të Romës (hebre), Shenjtëria juaj konfirmoi rrugën e nisur nga paraardhësit. Me Patriarkun e Moskës u përurua një etapë e mëtejshme dialogu me botën ortodokse. Me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të Reformës luterane, në Suedi, Shenjtëria juaj ripohoi se udha për bashkimin e të krishterëve është e pakthyeshme. E njëjta udhë u përshkua edhe me Kishën anglikane, falë impenjimit të përbashkët me kryeipeshkvin e Kanterbërit”. E me Patriarkun e Kostandinopojës e kryeipeshkvin e Athinës e të Greqisë “deklarata ekumenike e Lesbos i bëri të gjithë ta kthejnë vështrimin drejt një realiteti dramatik”, atë të emigracionit dhe “dëshmoi kështu, urgjencën për bashkëpunimin global në përballimin e sfidave aktuale”.

         Ambasadori angolan kujtoi vizitat papnore në vendet me pakicë të krishterë, si në Armeni, Gjeorgji e Azerbajxhan. Pastaj udhëtimin në kontinentin amerikan, që u ktheu shpresën popullit kuban e atij meksikan. Dekani i Trupit Diplomatik përmendi takimet e Atit të Shenjtë me autoritetet e vendeve të ndryshme, gjatë të cilave “nënvizoi bindjen se kundërshtitë mund të zgjidhen përmes dialogut. Si diplomatë – siguroi – e pranojmë këtë ftesë: misioni ynë është shmangia e çdo zgjidhjeje, që mund të kërcënojë paqen botërore dhe sigurinë e popullsive civile”.

         E megjithatë, vuri në dukje, “pavarësisht nga përpjekjet e shumta, vërejmë me trishtim se disa tragjedi nxjerrin në pah paaftësinë tonë për t’i shmangur. Atentatet në Gjermani, Bangladesh, Belgjikë, Burkina Faso, Egjipt, SHBA-të, Francë, Jordani, Nigeri, Pakistan, Tunizi, Turqi e në shumë vende të tjera; vuajtjet e popullsive civile në Afganistan, Irak, Libi, në Republikën Demokratike të Kongos, në Sudanin Jugor, në Siri e Jemen tregojnë se rruga drejt paqes është akoma e gjatë. Kujtojmë me dhimbje zyrtarët publikë, përfshirë personelin e sigurisë, funksionarët e organizatave ndërkombëtare dhe shumë nga kolegët tanë diplomatë, që vdiqën në krye të detyrës. Por, të mos e humbim shpresën, sepse paqja është pasuria më e çmuar që mund të dëshirojnë njerëzit për të pasur një jetë dinjitoze e të qetë”.

         Së fundi, ambasadori i Angolës foli për emigracionin e shkaktuar nga konfliktet “dhe nga padrejtësitë shoqërore, nga paqëndrueshmëria politike e nga kriza e klimës, me të cilën duhet të përballen shumë vende. Për këtë arsye – theksoi – është e nevojshme ta shohim njeriun në tërësinë e tij, siç dëshmoni ju vetë Shenjtëri me themelimin e dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor”. Nga ana tjetër, përfundoi ambasadori angolan, “edhe bashkësia ndërkombëtare është përpjekur të gjejë zgjidhje të frytshme, e vetëdijshme për faktin se emigracioni nuk është fenomen i veçantë, por gjendje njerëzore që përfshin botën si sistem”.








All the contents on this site are copyrighted ©.