Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: paqe për botën, jo luftë e çmenduri vëllavrasëse terroriste

Papa Françesku ne takim me trupin diplomatik te akredituar prane Selise se Shenjte, 9 janar 2017 - AP

09/01/2017 14:36

Impenjimi i feve për paqen, promovimi i çarmatimit, emergjenca e emigracionit, armëpushimi në Siri, mbrojtja e Gjithësisë: këto ishin disa nga temat më të rëndësishme të fjalës, që u drejtoi Papa Françesku anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti sot në Vatikan, për të shkëmbyer urimet e Vitit të Ri. Papën e përshëndeti ambasadori i Angolës, Armindo Fernandes do Espírito Santo Vieira. Kujtojmë se janë 182, shtetet, që kanë marrëdhënie me Vatikanin, ndër të cilat edhe Shqipëria.

Paqja është “dhuratë, sfidë, impenjim”. Papa vuri në dukje sidomos “temën e sigurisë dhe të paqes”, duke vërejtur me trishtim se njëqind vjet pasi Benedikti XV e pati quajtur Luftën e Parë Botërore “masakër të kotë”, akoma shumë popuj e shohin paqen si “mirazh të largët”. Më shpesh, mediat tregojnë vdekjen, dhimbjen e të pafajshmëve, njerëzit në ikje nga lufta, emigrantët, që humbin jetën tragjikisht. Pikërisht për të ndryshuar këtë gjendje, Papa Françesku u bëri thirrje të gjitha feve të promovojnë paqen, pasi kohët e fundit, dhuna justifikohet edhe me fenë. E duke iu referuar ndarjeve ndërmjet të krishterëve në Evropë, kujtoi veçanërisht takimin e tij me Patriarkun ortodoks Kirill dhe vizitën në Lund të Suedisë, për 500-vjetorin e reformës protestante. Gjeste, që nënvizojnë “nevojën urgjente për të shëruar plagët e së kaluarës e për të ecur drejt horizonteve të përbashkëta”.

Jo, çmendurisë vëllavrasëse të terrorizmit, që abuzon në emër të Zotit

 Ati i Shenjtë denoncoi me forcë fenomenin e “terrorizmit fundamentalist”, që po shkakton viktima kudo në botë:

“Është çmenduri vëllavrasëse, e cila abuzon në emër të Zotit për të përhapur vdekjen, në përpjekjen që të afirmohet vullneti për mbizotërim e pushtet. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha autoriteteve fetare të bashkohen për të ritheksuar me forcë se nuk mund të ketë kurrë vrasje në emër të Zotit. Terrorizmi fundamentalist është fryt i mjerimit të madh shpirtëror, me të cilin lidhet shpesh edhe një varfëri e skajshme shoqërore. Ai do të mposhtet plotësisht vetëm me kontributin e përbashkët të krerëve fetarë e të atyre politikë”.

Njëkohësisht, Papa kërkoi respektimin e lirisë së fesë. E duke u bërë jehonë fjalëve të Shën Gjon Palit II, vuri në dukje nevojën e impenjimit për të zhdukur ato kushte varfërie e vështirësish shoqërore, ato padrejtësi, që bëhen terren i përshtatshëm për zhvillimin e fundamentalizmave e të luftrave. Vuri theksin gjithashtu, në rolin pozitiv të edukimit kundër çdo lloj forme të ekstremizmit. Papa falenderoi edhe të gjitha ata krerë shtetesh e qeverish, që e bënë të tyren ftesën për një gjest mëshire ndaj të burgurve, duke u dhënë faljen.

Të mos jemi indiferentë para emigrantëve

Më pas, Ati i Shenjtë u përqendrua në fenomenin e emigracionit. Nënvizoi se maturia e kujdesi në gjetjen e zgjidhjes nuk do të thotë zbatim i politikës së mbylljes së dyerve për emigrantët. Kriza aktuale, pohoi Papa, nuk mund të reduktohet në një llogari të thjeshtë numerike:

“Problemi i emigracionit është çështje, që nuk mund t’i lërë indiferentë disa vende, ndërsa të tjerë mbartin peshën e ndihmës humanitare, jo rrallë, me përpjekje të konsiderueshme e me vështirësi të mëdha, duke i bërë ballë një emergjence, që nuk duket se po mbaron. Të gjithë duhet të ndjehen ndërtues e pjestarë të së mirës së përbashkët ndërkombëtare, edhe përmes gjesteve konkrete njerëzore, të cilat janë faktorët kryesorë të asaj paqeje e të atij zhvillimi, që kombe të tëra e miliona njerëz akoma i presin”.

Ndër vendet, që sillen bujarisht me emigrantët, Papa falenderoi veçanërisht Italinë, Gjermaninë, Greqinë dhe Suedinë. Kujtoi udhëtimin prekës në ishullin grek të Lesbos, por foli edhe për gjendjen e mijëra emigrantëve të Amerikës Qendrore, që bien shpesh viktima të padrejtësive të mëdha e të trafikut të njerëzve.

Ka ardhur koha për paqe në Siri

Ati i Shenjtë përmendi me një hije trishtimi fëmijët, shpesh, viktima të egoizmit e të dhunës së të rriturve. Kujtoi të vegjlit e të rinjtë e Sirisë, të privuar nga gëzimi i fëmijërisë dhe i rinisë e, bëri një thirrje të zjarrtë për fundin e konfliktit, që po shkakton një katastrofë të vërtetë humanitare:

“Secila prej palëve duhet ta ketë përparësi respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare, duke garantuar mbrojtjen e civilëve dhe ndihmën e nevojshme për popullsinë. Urimi i përbashkët është që armëpushimi i nënshkruar kohët e fundit të jetë shenjë shprese për gjithë popullin sirian, i cili ka thellësisht nevojë për të”.

 Ati i Shenjtë e nxiti bashkësinë ndërkombëtare të heqë dorë përfundimisht nga tregtia e armëve dhe nga gara për të prodhuar e shitur armatime, gjithnjë e më të sofistikuara. Shprehu shqetësimin e tij për provat bërthamore në gadishullin korean, që sipas tij, e destabilizojnë krejt rajonin. E sërish, me fjalët e Shën Gjon Palit II, kërkoi “të ndalohen armët bërthamore”. E Papa nuk harroi të kritikojë edhe mundësinë për të pasur armë me kalibër të vogël, gjë që ushqen ndjenja pasigurie dhe frike ndër njerëz.

Izraelitët e palestinezët të kenë guximin për të ndërmarrë udhën e paqes

Më pas, Françesku denoncoi sërish devijimet ideologjike, që ushqejnë përbuzjen dhe urrejtjen e pohoi se paqja arrihet me solidaritet. Lavdëroi impenjimin për pajtimin ndërmjet Kubës dhe SHBA-ve e ndërmjet fraksioneve të ndryshme në Kolumbi. Kërkoi gjithashtu, gjeste të guximshme për pajtimin në Venezuelë e për paqen në Lindjen e Mesme:

“Selia e Shenjtë rinovon thirrjen e saj të fuqishme për rifillimin e dialogut ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve që të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë, e cila të garantojë bashkëjetesën paqësore ndërmjet dy shteteve, brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht. Asnjë konflikt nuk mund të shndërrohet në gjendje të zakonshme, me të cilën duket gati sikur nuk ndahemi dot. E gjithë Lindja e Mesme ka nevojë urgjente për paqen!”

Paqe kërkoi Papa edhe për të gjitha zonat e konfliktit e të dhunës: nga Libia në Irak, nga Afrika Qendrore në Kongo, nga Ukraina në Sudan.

Evropa të rizbulojë vlerat që e bashkojnë

Më pas, Ati i Shenjtë u ndal në çastin historik, që po kalon Evropa, me largimin e Britanisë së Madhe nga gjiri i Bashkimit Evropian dhe me dyshimet e Brukselit për të vijuar pranimin e kandidaturave të reja. Papa bëri thirrje të rizbulohen rrënjët e vërteta të kontinentit për të plazmuar si duhet të ardhmen:

“Përballë shtytjeve shpërbërëse, është urgjente më shumë se kurrë t’i përshtatet ditëve tona ‘ideja e Evropës’, që të nxjerrë në dritë një humanizëm të ri, bazuar në aftësinë e integrimit, të dialogut e të risimit, [elemente] që e kanë bërë të madh të ashtuquajturin Kontinent i Vjetër. Procesi i bashkimit evropian, filluar pas Luftës II Botërore, ka qenë dhe vijon të jetë rast unik për qëndrueshmërinë, paqen dhe solidaritetin ndërmjet popujve”.

Populli italian të bashkohet në frymën e solidaritetit

Në pjesën e fundit të fjalës së tij, Papa prekun temën e mbrojtjes së Gjithësisë së krijuar prej Zotit. E duke iu referuar Marrëveshjes së Parisit për Klimën, uroi që përpjekja për t’u bërë ballë ndryshimeve të klimës të vijohet me bashkëpunimin e të gjithëve. Më pas, kujtoi popujt e dëmtuar nga tërmeti gjatë vitit 2016, në vende si Ekuadori, Indonezia dhe Italia, duke iu drejtuar veçanërisht italianëve:

“Uroj që solidariteti, i cili bashkoi popullin e dashur italian në orët menjëherë pas tërmetit, të vazhdojë ta frymëzojë krejt kombin, sidomos në këtë kohë delikate të historisë së tij. Selia e Shenjtë dhe Italia janë veçanërisht të lidhura për arsye të qarta historike, kulturore dhe gjeografike. Kjo lidhje u duk edhe më mirë gjatë vitit jubilar, prandaj falenderoj të gjitha autoritetet italiane për ndihmën në organizimin e një ngjarjeje të tillë, në garantimin e sigurisë së shtegtarëve, ardhur nga të gjitha anët e botës”.

Më fjalët e të Lumit Pali VI, Papa Françesku kërkoi impenjim për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut – “emri i ri i paqes” – dhe siguroi se Selia e Shenjtë do të bëjë ç’është e mundur për fundin e konflikteve të sotme e për t’u dhënë mbështetje e shpresë popullsive që vuajnë.

09/01/2017 14:36