2017-01-08 14:03:00

Françesku: shtegtimet e mia për të inkurajuar farët e shpresës


Del në librari, të martën e ardhshme, më 10 janar, libri “Në shtegtim” i Andrea Tornielli-t, shtypur nga Piemme. Vëllimi rrëfen shtegtimet ndërkombëtare të Papës Françesku, me episode të njohura e të panjohura. Hapet me një bisedë të gjatë të vatikanistit të gazetës italiane “La Stampa” me Françeskun, për shtegtimet e tij. Të ndjekim një sintezë të intervistës së Tornielli-t me Papën:

“Sinqerisht, nuk më ka pëlqyer kurrë të udhëtoj”. Jorge Mario Bergoglio  i përgjigjet kështu, me sinqeritetin, tipik për natyrën e tij, pyetjes së Andrea Torniellit lidhur me shtegtimet apostolike. “Nuk e kam pasur kurrë të lehtë - saktëson Papa - të rri larg dioqezës sime, që për ne, ipeshkvijtë, është nusja jonë". Flet, kështu, për shtegtimin e tij të parë si Papë, në Lampeduzë, vizitë kjo e paprogramuar: “E ndjeva se duhet të shkoja - nënvizon - më kishin prekur e emocionuar thellë lajmet për emigrantët e mbytur në det. Ishte e rëndësishme të shkoja atje”.

Në shtegtim, për të inkurajuar farët e shpresës

Rrëfen kështu se, pas DBR-së të Rio-de-Zhanéjros, shtegtim i programuar që para zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, iu përgjigj thjesht ‘po’ ftesave të mëpasme, duke vijuar të shkelë në të katër anët. Tani - kujton - e ndjej se duhet të shtegtoj, të shkoj e t’i vizitoj Kishat, t’i inkurajoj farët e shpresës, që nisin të mungullojnë në troje të ndyshme. Udhëtimet - vijon të tregojë - më rëndojnë psikologjikisht, më shumë sesa fizikisht. Gjithsesi - shton - udhëtimet të pasurojnë në mënyrë të papërfytyrueshme. Shikon fytyra, pamje të ndryshme, dëgjon dëshmi, mëson përvoja të larmishme.  Pasuri që më bën të pohoj se ia vlen ta marrësh në dorë “shkopin e shtegtarit”.

Kur shtegtojnë, Papët i çojnë Jezusin njeriut, që vuan

Ati i Shenjtë flet edhe për entuziazmin e njerëzve gjatë shtegtimeve të tij. E, duke kujtuar Palin VI, kometon: “Papa duhet të jetë i vetëdijshëm se ka me vete Jezusin, se dëshmon Jezusin e afërsinë e tij, praninë e tij, dhembshurinë për të gjitha krijesat, në mënyrë të posaçme, për ato që vuajnë”.

Françesku flet, në vijim, për disa nga çastet më të paharrueshme të shtegtimeve të tij, duke nisur nga entuziazmi i të rinjve në Rio-de-Zhanéjro që - kujton - preknin gjithçka u kapte dora në papamobil, për të përfunduar tek mikpritja në Filipine, posaçërisht në Tacloban, nën një shi me rrëshekë.

I  kam në zemër gjithë njerëzit që takoj e lutem për ta

I pyetur nëse i kujton njerëzit që takon, Papa përgjigjet: “I kam në zemër, lutem për situatat e dhimbshme e të vështira, të cilat i pashë me sytë e mi. Lutem që të reduktohen pabarazitë, me të cilat u njoha gjatë shtegtimeve".

Papa pohon  edhe se në Evropë i pëlqeu të vizitojë vende, që kaluan vështirësi të rënda. Kjo - shton - nuk do të thotë se më mungon vëmendja për Evropën, të cilën e inkurajoj si mundem për t’i rizbuluar e për t’i vënë në jetë rrënjët e saj më të vërteta, vlerat e saj. Papa shpreh bindjen se nuk do të jenë burokracitë e as mjetet e financës së lartë, ato që do të na shpëtojnë nga kriza e sotme e që do t’i zgjidhin problemet e emigracionit, i cili për Evropën është emergjenca më e madhe pas përfundimit të Luftës II Botërore.

I kuptoj kërkesat e sigurimit, por nuk pranoj mure ndërmjet meje e njerëzve

Françesku i përgjigjet, në fund, edhe pyetjes mbi sigurimin, gjatë shtegtimeve të tij apostolike. Unë - kujton - u shpreh mirënjohjen xhandarëve dhe rojeve zvicerane, që iu përshtatën stilit tim. Nuk mund të shtegtoj në makina të blinduara, ose me papamobil me xhama të papërshkueshëm nga plumbat, të mbyllur. Ipeshkvi - nënvizon - është bari, atë, nuk mund të ketë pengesa ndërmjet tij e njerëzve. Duhet t’i besosh vetvetes - shton - e t’ia besosh vetveten të tjerëve. Jam i vetëdijshëm për rreziqet, por nuk kam kurrë frikë për vete. “Mund të jetë gjithnjë në pritë - përfundon - rreziku i ndonjë gjesti të pakontrolluar nga ana e ndonjë të çmenduri. Por aty është gjithnjë edhe Zoti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.