2017-01-06 17:02:00

Krishtlindja kopte, ipeshkvi i Gizës: Egjipti nuk është më si më parë


Kishat e Lindjes, që ndjekin kalendarin julian, kremtojnë nesër, më 7 janar, Krishtlindjen. Shpesh janë Kisha të kërcënuara nga terrorizmi xhihadist, por të krishterët nuk mungojnë në kremtimin e lindjes së Krishtit. Këtë gjendje përjetojnë edhe koptët e Egjiptit, për të cilët pyetëm ipeshkvin e Gizës, imzot Antonious Aziz Mina:

Jetojmë gjithnjë në gjendjen e një Kishe të martirizimit, e cila pret Zotin për të pasur prej Tij shëlbimin. Ndjejmë hidhërim për ata të krishterë “martirë”, që humbëm pak më shumë se një muaj më parë, më 11 dhjetor, në atentantin kundër katedrales kopte të Kajros. Humbën jetën 25 vetë. Fatkeqësisht, mendimi i fanatikëve ndikon në shoqëri, duke e nxitur të mendojë si ata. E kush nuk e mendon si fanatikët është armiq.

Gjithsesi, ka përpjekje për izolimin e fraksioneve ekstremiste në Egjipt, apo jo?

Aksionet e tyre pakësohen, nuk kanë të njëjtin ritëm si më parë, por mendimi mbizotërues është ai i tyri: këtu është problemi. Ka 30, 40, ndoshta edhe më shumë vite, që po mbjellin idetë e tyre të mbylljes në vetvete. Shohin vetëm ç’thonë e besojnë ata, pa u lënë hapësirë të tjerëve të paraqesin arsyet e veta. Edhe dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve ecën përpara vetëm përmes njerëzve me horizont. Ka fqinjë, që njihen mirë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, por ka të tjerë, që nuk afrohen as në nivelin human e jo më të mendosh për dialog. Sot, vëllai është gati ta çojë vëllain para gjyqit për gjëra fare të vogla.

Gjendja ka ndryshuar shumë në krahasim me të kaluarën…

Pikërisht. Dikur, të rinjtë prireshin ta donin njëri-tjetrin, e kishin kulturën e bashkëjetesës, të pranimit të tjetrit. Tani, janë bërë të mbyllur, secili më vete. Kush mendon se mund të fitojë ndonjë të drejtë, edhe duke shkelur mbi tjetrin, nuk ngurron aspak të ecë në atë rrugë. Jeta e gjithë egjiptianëve e, jo vetëm e të krishterëve, është bërë më e vështirë. Ka ndryshuar etika: dashuria nuk konsiderohet më vlerë; mbretëron egoizmi.

Cili është mesazhi i Krishtlindjes në këtë situatë?

Thotë: “Nuk duhet të urreni. Nëse kjo ndodh, ata fitojnë”. Mesazhi i Krishtlindjes është mesazh dashurie dhe paqeje. Para së gjithash, duhet ta kemi paqen në shpirt për t’ua dhënë atë të tjerëve. Gjithashtu, duhet të lutemi për të gjithë, edhe për ata që na urrejnë, na persekutojnë, që nuk duan as të na shohin… Duhet ta japim këtë dëshmi dashurie për ta jetuar vërtet Krishtlindjen. Mos na harroni në lutje, sepse tek ajo besojmë. E njohim forcën e lutjes e të kapjes fort pas dashurisë së Zotit: ajo do të na shpëtojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.