2017-01-05 00:00:00

Kardinali Baldisseri: baritoria e familjeve në nxitjen apostolike “Amoris laetitia”


Kisha në dalje është njëkohësisht  edhe “Kishë me porta të hapura”. Ky, realiteti  që spikati në udhën sinodale kushtuar familjes e që, më pas, gjeti shprehjen e vet të plotë  baritore në nxitjen apostolike “Amoris laetitia”. E shpjegon kardinali Lorenzo Baldisseri në një konferencë, mbajtur në Civitavecchia: fjalët kyçe të dokumentit “të mirëpresësh, të shoqërosh, të shqyrtosh e të integrosh”  - tha sekretari i përgjithshëm  i Sinodit të ipeshkvijve, janë mesazh shprese për mbarë familjet, edhe për ato që jetojnë në situata të vështira e që kalojnë çaste krize.

U përdor metoda e shqyrtimit

Kardinali shpjegoi me hollësi gjithë udhën sinodale, duke nisur nga këshillimi me popullin  e Zotit, përfshirë në Instrumentum laboris, tek diskutimi i hapur e i sinqertë i dy asambleve, që çoi tek hartimi i relacionit përfundimtar e tek dokumenti i Papës. Një udhë, gjatë së cilës u vu në jetë mënyra si e kupton Papa sinodalitetin, si praktikë e përhershme në jetën kishtare. Metoda e zgjedhur është ajo e shqyrtimit, vijë udhëheqëse edhe për përballimin e rasteve të panumërta, që u paraqitën para Etërve sinodalë.

Normativa dhe Doktrina e Kishës nuk pësojnë ndryshime

“Amoris laetitia” - nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Sinodit - e përdor foljen “të shqyrtosh” posaçërisht në Kapitullin e 8-të, duke e vendosur, në titull, ndërmjet dy foljeve të tjera: “të shoqërosh” e “të integrosh” ligështitë, kur dashuria nuk i përgjigjet më formës së sakramentit martesor. Kisha kujdeset në mënyrë të veçantë   për këta njerëz të plagosur, që të mund të gjejnë rrugën e Ungjillit, në dritën e epërsisë së hirit të Zotit, i cili nuk të braktis kurrë. Prej këndej, përmasa e mirëpritjes. Por kjo nuk do të thotë - saktësoi prelati – “se normativa dhe doktrina e Kishës pësojnë  ndryshime ose se nuk  e kanë më parasysh reflektimin moral tradicional”.

Ndërkaq duhet sqaruar se, duke pasur gjithnjë parasysh “normën e përgjithshme”, situatat e posaçme duhen parë në veçantitë e tyre.

Çështja delikate e të divorcuarve me kurorë civile

Në këtë drejtim, Amoris laetitia skicon vija shumë të qarta lidhur, për shembull, me  “çështjen delikate të të divorcuarve të rimartuar me kurorë civile”, shoqëruar edhe me tregues që flasin për mundësinë e pajtimit sakramentor e atë të marrjes së Kungimit, Edhe një herë - nënvizoi kardinali Baldisseri - kuptohet sesi një proces i vërtetë  shqyrtimi, mund të jetë vendimtar që mirëpritja dhe shoqërimi, elemente tipike të Kishës në dalje, të mos kufizohen vetëm me një afrim të njerëzve në përgjithësi që – sado i rëndësishëm të jetë – e lë secilin në situatën e vet të parë. Ndërsa shqyrtimi  bën të mundur që mirëpritja dhe shoqërimi të synojnë përfundimin me sukses të udhës, që duhet përshkuar së bashku, me qëllim që të integrohen në jetën e Kishës të gjithë ata, që ajo i afron ose që i afrohen, sipas mundësive, etapave  e mënyrave  të secilit.

Rëndësia e përgatitjes të të fejuarve për martesë

Aspekt tejet i rëndësishëm i kësaj udhe, është t’i kushtohet vëmendje e veçantë përgatitjes së të fejuarve për sakramentin e martesës si dhe shoqërimit të tyre edhe pas martesës. E ky është element themelor për të shmangur lëkundjen ose dështimin e martesës e të familjes. Të ecësh së bashku është pikërisht stili i nevojshëm për çdo situatë, edhe për ato më të vështirat, “në të cilat kërkohet të shoqërohen rastet e ligështive e të mjekohen plagët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.