2017-01-04 17:13:00

Patriarku Sako: “Krishtlindja në Irak, çast afrimi me myslimanët”


Ditët festive të Krishtlindjes qenë shenjë e fuqishme shprese për rimëkëmbjen e Irakut, rraskapitur nga lufta e dhuna. Pavarësisht nga rreziku i atentateve, në kremtime morën pjesë edhe shumë myslimanë e pakica të tjera jo të krishtera. Ishte një lloj “revolte kundër terrorizmit, në mbrojtje të jetës, paqes e gëzimit”, siç thotë Patriarku kaldeas, imzot Louis Raphael Sako, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

 Këtë vit, Krishtlindja pati shije tjetër, sepse njerëzit po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm në respektin ndaj të krishterëve e sidomos, ndaj fesë së tyre. Na bëri vërtet shumë përshtypje: është hera e parë që vijnë kaq shumë njerëz në Kishë. Shumë përfaqësues të qeverisë, të autoriteteve të tjera fetare, na dërguan letra urimi. Shumica janë nga ana e myslimanëve e mendoj se kjo përfaqëson shpresën e vërtetë.

 Sa mund të ndikojë në gjendjen e vendit dialogu ndërmjet njerëzve, dëshira e tyre për të jetuar paqësisht?

Mendoj se dy gjëra kanë ndryshuar. Së pari, qëndrimi i qartë i Kishës për paqen, dialogun dhe bashkimin e Irakut. Së dyti, realiteti civil është më mikpritës ndaj të gjithë irakianëve, pavarësisht nga feja apo etnia. Përveç kësaj, ne kemi ndihmuar shumë myslimanë refugjatë në Bagdad, por edhe në zonat sunite e shiite, përmes Karitasit e Patriarkatit tonë. Gjithashtu, mediat bënë një punë shumë të mirë. Shumë televizione transmetuan kremtimet e Krishtlindjes për t’u dhënë një mesazh paqeje jo vetëm të krishterëve, por të gjithëve. Pra, diçka lëviz e shpresojmë që ky proces të vazhdojë.

Mbi këtë bazë, a është e mundur të ndërtohet një Irak shumetnik, shumëkulturor e shumëfetar, në paqe?

Ky është fati ynë: Iraku nuk mund të ekzistojë pa të krishterët, pa jazidët, shiitët e sunitët… Problemi nuk është vetëm ndërmjet irakianëve, çështja është rajonale. Ndikimi i vendeve fqinjë është shumë i madh. Ne nuk jemi mësuar me kulturën sektare; kjo vjen nga jashtë. E, edhe ideologjia e Daeshit(Isis), fundamentalizmi, vijnë nga jashtë. Shpresojmë që gjendja të ndryshojë.

Ç’ndodh me të krishterët, që kanë ikur nga dhuna? A po kthehen në Irak?

Kjo është pak e ndërlikuar, sepse tani për tani, nuk mund të kthehen. Mosuli nuk është çliruar akoma e rreziku është i madh. Përveç kësaj, duhen ndërtuar shtëpitë, rrugët, infrastrukturat… Unë i kam vizituar dy herë këto fshatra për të thënë se ajo është toka jonë e ne do të kthehemi, por na duhet kohë e punë e madhe. Ka fshatra të shkatërruara krejtësisht, por kemi shumë shpresë.








All the contents on this site are copyrighted ©.