2017-01-02 17:37:00

Papa ipeshkvijve: të mbrohen fëmijët e botës nga Herodët e rinj


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi Letrën, që Papa Françesku ua drejton ipeshkvijve në Festën e Shenjtorëve të Pafajshëm, kremtuar më 28 dhjetorin e kaluar. Duke kujtuar masakrën e fëmijëve të pafajshëm, ashtu si tregohet në Ungjill, Papa ndalet posaçërisht tek gjëmët e dhimbshme të nënave, që vajtojnë ferishtet e tyre të masakruara nga dora e tiranit. Qajnë bijtë, viktima të Herodit, që nuk ngopet kurrë me pushtet. Gjamojnë e gjëma e tyre ushton deri në ditët tona. Mund ta dëgjojmë edhe sot gjëmën, që përshkon hapësirë e kohë, për të arritur deri në veshët tanë. Na prek thellë në shpirt, por nuk mund e nuk duam ta ndalojmë, e as ta bëjmë të heshtë. Sot, ndërmjet njerëzve tanë, për fat të keq - e këtë e shkruaj me dhimbje të thellë - dëgjohet akoma vaji e britma e shumë nënave, e shumë familjeve, për  vdekjen e fëmijëve të tyre, bijve të tyre të pafaj:

“Ta kundrosh shpellën e Betlehemit - shkruan Françesku - e të kundrosh edhe këtë gjëmë, do të thotë të mësohesh ta dëgjosh edhe atë, që po ndodh përreth e të kesh zemër të ndjeshme, që tronditet nga vaji i të afërmit, posaçërisht kur i afërmi është fëmijë. Do të thotë edhe të jesh i aftë për ta pranuar se edhe sot e kësaj dite vijon të shkruhet ky kapitull tragjik i historisë. Ta kundrosh Shpellën e Betlehemit, duke e izoluar nga bota që e rrethon, do të ishte njëlloj si ta katandisje Lindjen e Krishtit në një përrallë të bukur, që do të ngjallte ndjesi të mira, sigurisht, por që do t’i mungonte kryesorja, forca krijuese e Lajmit të Mirë, të cilin dëshiron të na e japë Fjala e Mishëruar. E tundimi nuk mungon!”.

Papa pyet: “A mund të jetohet gëzimi i krishterë, duke i kthyer shpinën realiteteve të tilla? A mund të jetohet ky gëzim, duke i mbyllur veshët, për të mos e dëgjuar gjëmën e vëllait, vajin e fëmijëve? Shën Jozefi ishte i pari i thirrur për ta ruajtur gëzimin e shëlbimit. Përballë krimeve të shëmtuara, që po ndodhnin, Shën Jozefi – shembull i njeriut  të bindur e besnik -  qe i zoti ta dëgjojë zërin e Zotit e ta pranojë misionin, që i besonte Ati. E me që diti ta dëgjojë zërin e Zotit dhe e lëshoi krejtësisht veten në dorë të  vullnetit hyjnor, u bë shumë më i ndjeshëm ndaj gjërave, që e rrethonin e diti t’i lexojë ngjarjet me realizëm”.

“Sot edhe ne, barinjve, na kërkohet e njëjta gjë: të jemi burra të aftë për të dëgjuar e jo të shurdhër për zërin e Atit, e kështu, të jemi edhe më të ndjeshëm ndaj realitetit, që na rrethon. Sot, duke ndjekur shembullin e Shën Jozefit, ftohemi të mos e lejojmë askënd të na e rrëmbejë gëzimin! Na drejtohet ftesa  ta mbrojmë nga Herodët e ditëve tona! E ashtu si Shën Jozefi, kemi nevojë për guxim, që të mund ta pranojmë këtë realitet, për t’u ngritur në këmbë e për ta marrë në duart tona (krh Mt 2.10). Guxim, për t’u mbrojtur nga Herodët e rinj të ditëve tona, të cilët e gllabërojnë pafajninë e fëmijëve tanë. Pafajni e bërë copë e grimë nën  peshën e rëndë të punës klandestine e skllavëruese, nën peshën e prostitucionit e të shfrytëzimit, pafajni e gjakosur nga luftërat, e dënuar nga emigracioni i detyruar, me humbjen e gjithçka kishin e ëndërronin. Mijëra nga fëmijët tanë kanë rënë në duart e banditëve, në duart e tregtarëve të vdekjes, që dinë të bëjnë vetëm një gjë: t’i përdorin a t’i përpijnë fëmijët për të përmbushur nevojat e tyre  prej herodësh të kohëve moderne”.

Papa kujton 75 milionë fëmijë që, për shkak të emergjencave e të krizave të zgjatura, u detyruan ta braktisin shkollën. Në vitin 2015, 68% e të gjithë njerëzve, objekt i shfrytëzimit seksual në botë, janë fëmijë. Nga ana tjetër, një e treta e fëmijëve të detyruar të jetojnë larg vendit të tyre, e ka pësuar këtë dhunë. Jetojmë në një botë ku, pothuajse gjysma e fëmijëve që vdesin nën moshën 5 vjeçe, shuhen në prehër të nënave të tyre, sepse nuk kanë ç’të hanë, as ç’të pinë. Në vitin 2016, sipas llogarive, 150 milionë fëmijë kanë bërë punë të ndryshme, duke jetuar në kushte skllavërie. Sipas Raportit të fundit, hartuar nga Unicef, nëse situata botërore nuk ndryshon, në vitin 2018, 167 milionë fëmijë do të jetojnë në varfëri të plotë; 69 milionë, nën moshën 5 vjeçe, do të vdesin ndërmjet viteve 2016-2030  e 60 milionë, nuk do të mund të ndjekin shkollën.

“Ta dëgjojmë gjëmën e vajin e këtyre fëmijëve - vijon Papa në Letrën e tij – e ta dëgjojmë edhe gjëmën e vajtimin e Kishës Amë, e cila qan jo vetëm përballë dhimbjes që iu shkaktua këtyre bijve të saj të vegjël, por edhe pse e pranon mëkatin e disa prej anëtarëve të saj, pranon historinë e të miturve, që u shpërdoruan seksualisht nga meshtarët! Mëkat, ky, që të mbulon me turp. Njerëz, që duhet të kujdeseshin për t’i ruajtur këta fëmijë, e rrënuan dinjitetin e tyre. E dënojmë fuqimisht këtë sjellje e lypim falje. Bashkohemi me dhimbjen e viktimave e, nga ana jonë, vajtojmë për mëkatet tona. Për mëkatin e kësaj që ndodhi, mëkatin e mungesës së ndihmës, mëkatin e fshehjes e të mohimit, mëkatin e shpërdorimit të pushtetit. Edhe Kisha qan me hidhërim të thellë për këtë mëkat të bijve të saj e kërkon falje”.

“Duke kujtuar ditën e Shenjtorëve të pafajshëm, dëshiroj të përsërisim angazhimin tonë, që krime të tilla të mos ndodhin kurrë më. E gjejmë guximin  e nevojshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mjetet e për ta mbrojtur në të gjitha drejtimet jetën e fëmijëve tanë, që këto krime të mos përsëriten më. E bëjmë tonën, qartë e ndershmërisht ‘tolerancën zero’ në këtë fushë”.

“Gëzimi i krishterë nuk është gëzim, që ndërtohet jashtë realitetit, duke e injoruar a duke bërë sikur nuk ekziston. Gëzimi i krishterë lind nga një thirrje - e njëjta thirrje, që iu drejtua Shën Jozefit  - për ta marrë e për ta mbrojtur jetën - posaçërisht atë të shenjtorëve të pafajshëm të ditëve tona.  Krishtlindja është kohë, që na bën thirrje ta mbrojmë jetën, ta ndihmojmë të vijë në botë, ta marrim butë në duar, që të rritet; kohë, që na fton të përtërihemi, si barinjtë guximtarë. Me atë guxim - përfundon Papa – që lind dinamika të afta për të fituar vetëdijen e realitetit, të cilin e jetojnë një mori nga fëmijët tanë, të punojmë për t’u siguruar kushtet e nevojshme, që dinjiteti tyre, si bij të Zotit,  jo vetëm të respektohet, por, mbi të gjitha, të mbrohet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.