Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: pranë popullit turk; të përballohet plaga e terrorizmit

Papa në Engjëllin e Tënzot - AFP

01/01/2017 14:05

Pas Meshës, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar Ditën e sotme Botërore të Paqes e duke shprehur dhimbjen për atentatin e Vitit të Ri në Stamboll.

Papa Françesku u trondit shumë nga lajmi i masakrës së re, që goditi Turqinë: të pakëtn 39 vetë të vrarë e më se 60 të plagosur nga një a më shumë atentatorë, të veshur tepdil si Viti i Ri, në një diskotekë, kur po festohej shndërrimi i viteve:

“Për fat të keq dhuna goditi edhe në këtë natë urimesh e shprese. Me hidhërim i shpreh afërsinë popullit turk, lutem për viktimat e shumta e për të plagosurit si dhe për gjithë Kombin në zi e i kërkoj Zotit t’i mbështesë të gjithë njerëzit vullnetmirë, që i shpërvjelin me guxim mëngët për ta përballuar plagën e terrorizmit e për ta pastruar këtë njollë gjaku, që e mbështjell botën me hijen e frikës e të përhumbjes”.

Më pas Papa kujtoi se sot kremtohet Dita Botërore e Paqes, themeluar me dëshirën e Palit VI, 50 vjet më parë, për të fuqizuar angazhimin e përbashkët në ndërtimin e një bote paqësore e vëllazërore. Në mesazhin për këtë Ditë, Papa propozon mospërdorimin e dhunës, si stil për politikën e paqes”.

Pastaj, urimet për Vitin e Ri 2017:

“Viti i ri do të jetë i mbarë në atë masë, që secili nga ne, me ndihnën e Zotit, do të përpiqet të bëjë mirë ditë për ditë. Kështu ndërtohet paqja, duke i thënë ‘jo, me fakte urrejtjes e dhunës e ‘po’ vëllazërisë dhe pajtimit”.

Papa shprehu edhe mirënjohjen për të gjitha nismat e lutjes e të angazhimit në shërbim të paqes, që po vihen në jetë në të të katër anët e botës, duke kujtuar posaçërisht marshimin kombëtar të mbrëmshëm në Bolonjë, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, Karitasi, Veprimi Katolik dhe Pax Christi, me mbështetjen e Dioqezës dhe të Komunes së Bolonjës. Përshëndeti edhe pjesëmarrësit në manifestimin “Paqe në të gjitha tokat”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit.

Më pas, një përshëndetje e përzemërt, Presidentit të Republikës Italiane  për urimet që i bëri mbrëmë, gjatë Mesazhit të tij drejtuar Kombit:

“Ia kthej nga zemra, duke kërkuar bekimin e Zotit mbi popullin italian që, me kontributin plot përgjegjësi e solidaritet të të gjithëve, të mund ta shikojë ardhmërinë me besim e shpresë”.

Para lutjes së Engjëllit, Papa nënvizoi se Maria u tregua e gatshme të marrë pjesë në realizimin e Planit të shëlbimit të Zotit, që i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi të pushtetshmit nga fronet, i lartoi të pëvuajturit:

“Zoti i kërkoi Marisë jo vetëm të ishte nënë e Birit të vet të vetëm, por edhe të bashkëpunonte me të Birin e për të Birin në planin e shëlbimit, në mënyrë që me të e pëmes saj, shërbëtores së përvuajtur, të kryheshin veprat e mëdha të mëshirës hyjnore”.

E Papa përfundoi me një lutje falënderimi drejtuar Marisë, që solli në botë Shëlbuesin:

“Të falënderojmë, o Nënë Shenjte e Birit të Zotit Jezus! Të falënderojmë për përvuajtërinë tënde, që tërhoqi shikimin e Zotit; të falënderojmë për fenë me të cilën e pranove  Fjalën e Tij, të falënderojmë për guximin, me të cilin gjegje: ‘Ja ku jam’, duke e harruar fare vetveten, e mrekulluar nga Dashuria Shenjte, që u bë një gjë e vetme me shpresën e Tij. Të falënderojmë, o Nëna Shenjte e Birit të Zotit, Jezus. Lutu për ne, shtegtarë në kohë, e na ndihmo të ecim në udhën e drejtë të paqes . Amen!”.

01/01/2017 14:05